Vetëm një ditë para takimit të 18 marsit në Ohër të Maqedonisë së Veriut dhe pas takimeve në Beograd, të premten i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi do të jetë në Prishtinë për tu takuar me liderët e shtetit.
Gabriel Escobar do të jetë në Prishtinë, pas vizitës në Beograd në përpjekje që takimi i 18 marsit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq ku do të diskutohet plani i zbatimit të Propozimit evropian për normalizimin e raporteve të jetë i suksesshëm.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka bërë të ditur për Telegrafin se takimi ndërmjet kryeministrit Kurti dhe të dërguarit të SHBA-së, Escobar do të mbahet të premten.
“Takimi do të mbahet të premten”, deklaroi Kryeziu.
Ndryshe, pas takimit të Escobarit me presidentin serb, ky i fundit tha se ka zhvilluar një “bisedë të hapur dhe korrekte”.
Vuçiq shkroi në llogarinë e tij në Instagram: “Besoj në përmirësimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së”.
Ndërsa në komunikatën e Presidencës së Serbisë, thuhet se është diskutuar procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe mundësitë për gjetjen e zgjidhjeve përmes kompromisit dhe të qëndrueshme në dialogun e zhvilluar me ndërmjetësimi i Bashkimit Evropian”.
“Presidenti Vuçiq përsëriti qëndrimin e pandryshuar të Serbisë në lidhje me ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me theks në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani dhe ruajtjen e interesave shtetërore dhe kombëtare”, thuhej në komunikatë, transmeton Telegrafi.
E ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier një ditë më parë tha se takimi i Ohrit është një mundësi e jashtëzakonshme për Kosovën dhe Serbinë për të arritur marrëveshje mbi planin evropian për normalizim të marrëdhënieve.
Në një takim që ka zhvilluar me gazetarë në ndërtesën e Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, Hovenier tha se aktualisht fokusi kryesor është te zbatimi i aneksit të marrëveshjes.