Këto janë mesazhet kyçe të dokumentit më të fundit të diplomatëve evropianë, të cilat pretendon se i ka siguruar gazeta serbe “Nova”.
Përmendet gjithashtu përfundimi i integrimeve evropiane për Serbinë, izolimi dhe për herë të parë mundësia e “trazirave të brendshme”…
Në vigjilje të takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili do të mbahet të shtunën (18.03.2022) në Ohër, gazeta serbe pretendon se ka siguruar një dokument të ri nga BE-ja. Ai, sipas kësaj gazete, është hartuar nga ndërmjetësit evropianë në dialogun Kosovë-Serbi si platformë për bisedime të mëtejshme me kryeministrin e Kosovës dhe presidentin e Serbisë.
“Këto janë praktikisht udhëzimet e tyre për dialog, të cilat duhet të tregojnë unitetin e BE-së për çështjen e zgjidhjes së problemit të Kosovës. Vetë dokumenti nuk është përfundimtar, por mesazhet nga ai do t’i përcillen Vuçiqit dhe Kurtit. Konkretisht, cilat janë përfitimet e nënshkrimit të marrëveshjes dhe cilat do të jenë pasojat e refuzimit”, shkruan gazeta serbe, transmeton Telegrafi.
Sipas gazetës, “është veçanërisht e rëndësishme të theksohet se të 27 anëtarët e BE-së qëndrojnë pas këtij dokumenti, duke përfshirë pesë vende që nuk e njohin Kosovën. Dokumenti tregon synimin e BE-së dhe Perëndimit për ta lënë Evropën plotësisht të lirë nga konfliktet e mundshme, dhe në dritën e krizës në Ukrainë. Vendosmëria shihet edhe në perspektivën shumë të qartë të izolimit të Beogradit dhe Prishtinës, duke qenë të vetëdijëshëm për mundësinë e trazirave të brendshme”.
Vijat e kuqe dhe hapat prapa
Në dokument, para së gjithash, thuhet se procesi i normalizimit do të menaxhohet nga dy kryediplomatë nga vendet jo-njohëse, Spanja dhe Sllovakia, për të garantuar drejtësi.
“Teksti përfundimtar i marrëveshjes është produkt i një analize gjithëpërfshirëse dhe të plotë të të gjitha përvojave aktuale dhe të kaluara. Është një produkt unik politik, një kompromis i brendshëm i BE-së, i cili është i pranueshëm edhe për shtetet anëtare që e njohin edhe për ato që nuk e njohin Kosovën”, thuhet në dokument.
Më tej thuhet se, “dokumenti i referohet vijave të kuqe të të dyja palëve, përkushtimit të tyre për paqen rajonale dhe vlerat evropiane, si dhe detyrimet e BE-së ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
Sa i përket vijave të kuqe, thuhet se Serbisë do t’i dilet në ndihmë kështu që Kosova do të bëjë një hap prapa, kështu që në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve nuk do të insistojë në njohje reciproke.
Në dokument më tej thuhet se, “Serbia pritet të bëjë një hap prapa dhe të marrë përsipër të ketë marrëdhënie të plota me Kosovën”, transmeton Telegrafi.
“Në vend që të luftojë me Serbinë, Kosova merr përsipër të punojë me Serbinë për të zgjidhur nevojat praktike të gjithë njerëzve dhe komuniteteve. Serbia merr përsipër të bashkëpunojë me bashkësinë ndërkombëtare në të mirë të të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë”.
Për sa i përket përkushtimit për paqen rajonale dhe vlerat e BE-së, në dokument thuhet se Serbia dhe Kosova janë të përkushtuara për zgjidhjen paqësore të të gjitha mosmarrëveshjeve, ndërsa Serbia urdhërohet të përmbahet nga çdo veprim që perceptohet si armiqësi diplomatike ndaj Kosovës.
Prishtina obligohet për nivelin e duhur të vetëqeverisjes së komunitetit serb në Kosovë, në përputhje me vlerat e BE-së.
Shpërblimet dhe ndëshkimet
Sipas medias serbe, nëse marrëveshja pranohet, për Serbinë parashikohet një partneritet i fortë strategjik me komunitetin perëndimor.
“Ky partneritet do ta transformojë Serbinë në një forcë shtytëse kryesore ekonomike dhe politike rajonale dhe pranimi i propozimit të BE-së do ta afrojë atë me komunitetin serb të Kosovës”, thuhet në dokument.
Pranimi i dokumentit nga Kosova do të shënojë fillimin e daljes së Kosovës nga kriza dhe mundësinë për t’u fokusuar në zhvillimin thelbësor socio-ekonomik.
“Kosova përfundimisht mund të rritet e pavarur”, thuhet në këtë dokument.
Kur bëhet fjalë për dënimet, dokumenti thotë qartë se “Beogradi dhe Prishtina kanë dy mundësi: Të pranojë marrëveshjen dhe të pajtohet me qëndrimet e të 27 anëtarëve të BE-së ose ta refuzojë atë, gjë që ka pasoja të rënda. Në atë rast, rruga e tyre drejt integrimeve evropiane do të ndalet dhe në të njëjtën kohë do të humbasin të gjitha përfitimet e mëparshme”, transmeton Telegrafi.
“Së shpejti do të pasojnë izolimi dhe trazirat e brendshme”, thuhet në dokument.
“Serbia dhe Kosova mund të vazhdojnë të gëzojnë përfitimet e marrëveshjeve ekzistuese me BE-në dhe pjesën tjetër të komunitetit perëndimor vetëm nëse angazhohen plotësisht që të bëhen lojtarë konstruktivë në përpjekjet e BE-së dhe Perëndimit për ndërtimin e paqes dhe stabilizimin. Nuk ka mënyrë që kjo të anashkalohet”, thuhet në dokument.
Dështimi i Serbisë për të harmonizuar qëndrimin e saj me 27 vendet e BE-së, thuhet më tej, do t’i krijojë një mundësi Kosovës që të rritet pa pasur nevojë të bashkëpunojë me Beogradin.
“Nëse e refuzon marrëveshjen, Serbia do të humbasë edhe mbështetjen e pesë vendeve që nuk e njohin Kosovën. Pavarësisht nga rezultati, BE-ja dhe NATO-ja në fund do të flasin me një zë për Kosovën”.
Kosova, nga ana tjetër, duhet të përmbushë plotësisht pritjet bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht kur bëhet fjalë për respektimin e marrëveshjeve të kaluara.
“Refuzimi i Kosovës për ta bërë këtë mund të ketë pasoja të rënda për të ardhmen e Kosovës. Partnerët e zhgënjyer perëndimorë nuk do të mbështesin rritjen e mëtejshme të Kosovës. Pa këtë mbështetje, Kosova mund të priste një kthim prapa në disa fusha”, përfundon dokumenti.