Haradinaj: Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë pjesë e marrëveshjes përfundimtare

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë pjesë e marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa qeveria duhet të trajtojë me kujdes situatën në veri.

Në intervistën për Zërin e Amerikës, Haradinaj tha se propozimi evropian i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara për një marrëveshje Kosovë – Serbi paraqet njohje të ndërsjellë pavarësisht që kjo nuk përmendet në dokument.

“Terminologjia e marrëveshjes e kapitullit të parë, të dytë e me radhë krejt kjo terminologji është njohje, pra shtetet rregullojnë marrëdhëniet në bazë të asaj apo kësaj, krejt është njohje prandaj thash është një shkencë në vete ku e gjithë terminologjia është njohje.”

“Ndërsa po është thënë që kthimi në institucione do të ndërlidhet me Asociacionin, por me siguri që këto janë procese të dyja, edhe kthimi edhe Asociacioni nuk janë çështje që zgjidhen njëherësh ose për një ditë. Mendoj se sa i përket Asociacionit zgjidhja vjen me marrëveshjen finale, ndërsa kthimi në institucione është një proces i brendshëm që duhet të ndodhë edhe Prishtina duhet të intensifikojë një dialog të brendshëm me serbët lokal”, u shpreh Haradinaj.

I pyetur nëse këto tensione a rrezikojnë që të shtyjnë procesin e bisedimeve rreth kësaj marrëveshje, kreu i AAK-së tha se Kosova duhet të bëj kujdes pra që të mos merr veprime tjera që kishin pas m’u shfrytëzu si arsye për mos me ardhë deri te marrëveshja.

“Ne i kemi dëgjuar disa qëndrime të ndryshme të institucioneve të Serbisë që nuk pajtohen, nuk ju pëlqen po prapë besoj se ka bazë reale që mu arrit kjo marrëveshje dhe mendoj që edhe Kosova duhet të bëj kujdes pra që të mos merr veprime tjera që kishin pas m’u shfrytëzu si arsye për mos me ardhë deri te marrëveshja ose të mos ndodh takimi final për marrëveshje. Ndonjëherë e kam një përshtypje se këto që ndodhin në veri janë skenarë serbo-rusë me i ik pra arritjes së marrëveshjes”, deklaroi Haradinaj.