Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mbrëmë në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë.
Si pasojë e shpejtësisë tejet të madhe, një veturë në qarkullim ka goditur dy femra të cilat ishin duke kaluar rrugën në atë moment.
Me të shkaktuar goditjen, drejtuesi i makinës në fjalë është larguar nga vendi i ngjarjes.
Por nga Prokuroria Themelore në Prishtinë kanë njoftuar se sot kanë ndaluar një person të dyshimtë lidhur me këtë rast.
“Sot, me urdhër të prokurorit është ndaluar një person i dyshuar, për shkak të veprave penale “Rrezikimi i trafikut publik” dhe “Mosdhënia e ndihmës ndaj personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik”. Personi i dyshuar ndodhet nën masën e ndalimit prej 48 orësh”, ka deklaruar zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj
Po ashtu Ulaj theksoi se të lënduarat në këtë rast janë dërguar për tretman mjekësor dhe se lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.