Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Ziber Susurit, i duke e dënuar me 7 muaj burgim me kusht lidhur me akuzën për falsifikim të dokumentit zyrtar.
Shpallja e aktgjykimit u bë të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Skender Çoçaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit, i akuzuari Susuri është dënuar me 7 muaj burgim me kusht dhe i njëjti obligohet që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 100 euro, si dhe shumën prej 50 euro në emër të fondit për kompensimin e viktimave të krimit.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh.
Ndryshe, sipas aktakuzës së 27 tetorit 2021 të ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, Ziber Susuri akuzohej se si person zyrtar – komandant i Nënstacionit Policor në Zhur, shënon të dhëna të rreme në dokumentin zyrtar – Fletëparaqitjen për Kundërvajtje të 27 marsit 2021, të lëshuar kundër kundërvajtëses Majlinda Elshani nga zyrtarët policorë Vllaznim Fanaj dhe Driton Krasniqi, sipas së cilës fletëparaqitje ajo kishte bërë kundërvajtje nga neni 72.1 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor (Ligji nr.05/L-088), dhe për të cilën të njëjtës i është shqiptuar gjoba në shumë prej 200 euro, masa mbrojtëse – marrja e patentë shoferit për tre muaj dhe shqiptimi i një pike negative.
Aktakuza thotë se i pandehuri, më 29 mars 2021, ndërhyn në fletëparaqitje duke shënuar se kundërvajtësja ka kryer kundërvajtje nga neni 78.1, tek pjesa e gjobës ia bën gjobën 50 euro, anulon masën mbrojtëse dhe pikën negative duke fshirë me laps-kimik, fshin edhe tek vendi ku shkruan “Dokumenti i konfiskuar”, ku ka qenë i shënuar numri i patentë shoferit të kundërvajtëses, vë nënshkrimin e tij tek “Nënshkrimi i mbikëqyrësit” dhe shënon numrin e ID-së së tij, me të cilin nënshkrim vërteton këtë dokument zyrtar që përmban të dhëna të rreme.
Me këto veprime, i pandehuri Ziber Susuri akuzohej se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” sipas Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.