Arrestimi i malazezit të dyshuar për krime lufte në Pejë, policia tregon çka gjeti në shtëpinë dhe zyrën e tij

Një shtetas malazez nga fshati Vitomericë e Pejës, është arrestuar të hënën nën dyshimet për krime lufte kundër popullsisë civile në vitet 1998-1999.

Policia njofton se gjatë kontrollit në shtëpinë e tij dhe një zyrë në fshatin Gorazhdec të Pejës, kanë sekuestruar katër shtëpiza të kompjuterit.

“Pejë 1998-1999 – NN. Me 27.06.2022 është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas malazez, nën dyshimin se i njëjti ka qenë i përfshirë në kryerjen e veprës së cekur gjatë viteve 1998-1999”, thuhet në raportin e policisë.

“Njësitet policore me urdhër të prokurorit dhe gjyqtarit të Departamentit Special kanë kryer kontrollin e shtëpisë së të dyshuarit dhe një zyrë në fshatin Gorazhdec-Pejë, ku kanë sekuestruar katër shtëpiza të kompjuterit”.Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Prokuroria Speciale e Kosovës të hënën njoftoi se rasti ka të bëjë me ofensivën e forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe të datës 07.05.1999 në regjionin e Pejës, ku dyshohet se u vranë nëntë civilë të nacionalitetit shqiptar dhe u zhdukën pesë persona të tjerë po ashtu civilë shqiptarë.