​Naftëtarët të palëkundur, nuk zbresin çmimin e karburanteve

Përkundër që Ministria e Tregtisë Industrisë dhe Ndërmarrësisë ka publikuar sot vendimin me të cilin ka përcaktuar tavanin maksimal të çmimeve për karburante për 24 orët e ardhshme, naftëtarët ende nuk janë duke përfillur këtë vendim për t’i ulur çmimet.

Lexuesit kanë dërguar fotografi në KosovaPress, ku në disa kompani të derivateve ende çmimi i dizelit për litër është 1.91 euro, ndërkaq qytetarët po ashtu për benzinë po paguajnë ende 1.89 euro.

Ndërsa, kryetari i Shoqatës së naftëtarëve, Fadil Berjani nuk ka qenë i qasshëm për KosovaPress për të komentuar vendimin e fundit ose moszbatimin e këtij vendimi nga naftëtarët.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka publikuar vendimin të hënën para orës 10:00 për 24 orët e ardhshme çmimin maksimal të lejuar të produktit, dizel është 1.85 euro centë për litër, derisa çmimi maksimal i lejuar i produktit benzinë është: 1.74 euro centë për litër. Ndërkaq, çmimi maksimal i lejuar i produktit gaz është: 0.78 euro centë për litër.