Ish-ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, ka treguar se pse ajo nuk i hyri fare garës për të qenë kryetare e Partisë Demokratike të Kosovës, anise ka një bagazh të gjerë të politikbërjes.
Çitaku në Klan Kosova, është shprehur se arsyeja e vetme që një kandidaturë e tillë nuk ndodhi, ishte shkëputja që ajo kishte për shtatë vjet, nga politika e brendshme, dhe thotë se përballjet e vetme që kishte ishin ato me Serbinë në Këshillin e Sigurimit.
”Unë kam pasur një shkëputje të gjatë nga jeta aktive politike në Kosovë dhe kam shërbyer si ambasadore në ShBA, dhe që të jem shumë e sinqertë me ju, më është dukur pak pretencioze që të vijë unë nga ShBA dhe t’ju them: ‘’Ja erdha unë shpërtimtarja, dhe tash do ta marrë unë partinë’’. Në ndërkohë që për shtatë vjet sa unë kam qenë këtu, ka pasë edhe burra që kanë qenë në PDK që kanë qenë aktivë që kanë bërë punën e tyre, kjo është e para”.
”E dyta, mendoj që kemi nevojë që të ndryshojmë paradigmën, jo vetëm liderët, por paradigma duhet të ndryshojë. Unë jam bërë pjesë e këtij projekti për të ndryshuar paradigmën, Kosova nuk ka nevojë për liderë te fortë, ka nevojë për institucione të forta, për parti politike të forta. Ky është vizioni rreth së cilit po punoj unë me kryetarin Memli Krasniqi dhe të tjerët që i janë bashkuar PDK-së”.
”Nuk ka një konspiracion të fshehur, thjeshtë më është dukur pretencioze, më është dukur sikur unë po shes mend këtu, në ndërkohë që unë për shtatë vjet [kisha një shkëputje], sigurisht që shkëputja më ka ndihmuar, edhe në përceptimin publik sepse nuk kam qenë pjesë e përballjeve të brendshme, përballjet e mia të vetme kanë qenë me Serbinë në Këshillin e Sigurimit, dhe kjo sigurisht që e ka rritur profilin tim publik por unë as nuk ekzaltohem as nga lëvdatat e tepërta sepse e kam ditë nga e kanë burimin”.