Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje. Kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq janë pajtuar për marrëveshje të energjisë.
Për marrëveshjen njoftoi emisari special i Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak, ku theksohet se udhërrëfyesi për zbatimin e marrëveshjeve bosht ka dy ujditë për rrymën, të 2013-ës dhe 2015-ës, shkruan lajmi.net.
“Me qëllim të tejkalimit të krizës dhe problemeve në sektorin e energjisë, duke marrë parasysh Marrëveshjet në lidhje me Energjinë e datës 8 shtator 2013 (“Marrëveshja e Energjisë 2013”), dhe konkluzionet e fascilituesit BE për zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë 2013 të 25 gushtit 2015 (“Marrëveshja e Energjisë 2015”), palët kanë rënë dakord…”, thuhet në mbishkrimin e marrëveshjes.
“Zbatimi i suksesshëm i udhërrëfyesit të rënë dakord është pa paragjykim ndaj detyrimeve të palëve për të zbatuar plotësisht Marrëveshjet e Energjisë nga 2013 dhe 2015”, thuhet në pikën e fundit.
Për një gjë të tillë kishte paralajmëruar edhe vetë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, duke thënë se nuk do të ndryshohet “asnjë presje”.
“Çdo dakordim eventual ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbi çështjen e energjisë, nuk do ndryshojë as edhe njё presje pёrtej asaj qё tashmë është dakorduar nё Bruksel nё vitet 2013 dhe 2015. Nё emёr tё Kosovёs, negocion vetёm Qeveria e Republikёs sё Kosovёs. Takimi mes KEDS dhe palёs serbe, i organizuar nё Stamboll me 9 qershor, ka patur vetёm objektivin e ofrimit tё garancive pёr katёr shёrbimet e dakorduara nё vitin 2015, vendosja e matёsve tё energjisё, mirёmbajtja e matёsve, faturimi dhe inkasimi dhe kёtё obligim e ka pёrmbushur”, deklaroi javën e kaluar numri dy i qeverisë.
Në korrik të vitit 2013, Kryeministria njoftonte se atëherë kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri me anëtarët tjerë të delegacionit kishte marrë pjesë në bisedimet për çështjen e energjisë në Bruksel dy ditë radhazi. Pas dy ditësh diskutimesh intensive, njoftohej për “përparime shumë të rëndësishme që mund të çojnë drejt arritjes së marrëveshjes”.
Dy vjet më pas, në Bruksel u nënshkruan katër marrëveshje të rëndësishme për normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi, përfshirë Asociacionin dhe atë për energjinë. Kryeministri i atëhershëm, Isa Mustafa, thoshte se ato e “ruajnë sovranitetin”.
Me të ardhur për herë të parë në pushtet, Albin Kurti premtoi rishikimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura me Serbinë.