Çitaku kujton kohën kur Kurti e konsideronte tradhti kombëtare marrëveshjen për energji

Vlora Çitaku, nënkryetare e Partisë Demokratike e Kosovës, ka reaguar rreth arritjes së marrëveshjes për energji mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se kryeministri Albin Kurti, është shndërruar në noter të marrëveshjeve paraprake.

Çitaku, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka kujtuar kohën kur Kurti e konsideronte si tradhti kombëtare të njëjtën marrëveshje.

Tutje, nënkryetarja e PDK-së ka shtuar se Kurti ua ka borxh të sqarohet para votuesve të tij, nëse e ka pas gabim atëherë kur kundërshtonte këtë marrëveshje apo sot, pasi ajo u nënshkrua.

“Pa i hequr asnjë pikë e asnjë presje, Kryeministri Kurti qenka dakorduar për planin e zbatimit të marrëveshjes për energji të dakorduar në Bruksel me 2015. Po të njejtën marrëveshje, Kryeministri atëbotë e konsideronte tradhëti kombëtare. E vetmja gjë konsistente tek Kurti është mungesa e konsistencës. Kryeministri ua ka borxh votuesve të tij një sqarim, a e ka pasë gabim atëherë, apo e ka gabim tash? Kryeministri është shëndrruar në noter të marrëveshjeve paraprake, duke e kthyer procesin mbrapa, e duke humbur kohë”, ka thënë Çitaku.