Ngjarja më e madhe kulturore në vend, “Sunny Hill Festival”, këtë vit nuk do të organizohet në Prishtinë.
Ditën e djeshme (e martë) u njoftua se ky festival për edicionin e tretë do të zhvendoset në Tiranë.
Kjo u konfirmua në një letër të bërë nga themeluesi i “Sunny Hill”, Dukagjin Lipa, drejtuar krerëve të shtetit.
Organizatorët fajësuan institucionet e shtetit për dështimin e organizimit në Kosovë. Tutje, u tha se zhvendosja në Tiranë është bërë për shkak të vonesave për përgjigje nga autoritetet për dhënien e lejes së pronës për shfrytëzim.
Në lidhje me këtë së fundmi ka reaguar edhe aktori e producenti i njohur shqiptar, Shkumbin Istrefi.
Ky i fundit tha se “Sunny Hill” nuk është i vetmi që ka kërkuar tokën për shfrytëzim 99 vjeçar.
“A e dini sa toka/parcela në Kosovë janë dhënë për shfrytëzim 99 vjeçar deri tash? Sa di unë (e sigurisht ka edhe më shumë) janë Parku i Biznesit në Drenas, edhe plot disa të tjera nga Komuna e Lipjanit”, u shpreh Istrefi.
“Sigurisht ka edhe në komuna të tjera. Pra nuk besoj që kërkesa e Sunny Hill është kërkesa e parë e këtij lloji. Benefitet e shtetit, financiare dhe jo financiare duhet të kalkulohen në këso raste”, vazhdoi ai.