Lumi Vjosa, zemra blu e Ballkanit shpallet Park Kombëtar

Shpallja e lumit Vjosa si Park Kombëtar ndihmon ruajtjen e një prej lumenjve të fundit të egër të Europës. Ai nuk do të mbrojë vetëm lumenjtë, por pritet të kthehet edhe në një burim të ardhurash për zonën.

Lumi Vjosa dhe degëzimet e tij, u shpallën nga qeveria shqiptare, një park i ardhshëm kombëtar për ta ruajtur këtë lum, të vlerësuar nga ekspertë ambientalistë si “zemra blu e Ballkanit dhe një nga lumenjtë e fundit, të egër, të gjallë në Europë”.

Një marrëveshje mes qeverisë së Tiranës dhe organizatës ambientaliste amerikane “Patagonia” parashikon hartimin e një plani të qëndrueshëm dhe të integruar për të ndërtuar Parkun Kombëtar të lumit Vjosa.

“Vizioni ynë është të ndërtojmë një model Parku Kombëtar, ku qeveria shqiptare, kompani private dhe shoqëria civile do të bashkëpunojnë për të mbrojtur natyrën. Si fillim në partneritet me qeverinë shqiptare do të ngrejmë një grup pune me ekspertë lokalë dhe ndërkombëtarë”, tha për DW, Ryan Gellert, Drejtor Ekzekutiv i organizatës ambientaliste „Patagonia”.

Kjo organizatë do të bashkëpunojë edhe me organizatën gjermane “EuroNatur” me seli në Rheinbach pranë Bonn-it dhe “RiverWatch” organizatën ndërkombëtare për mbrojtjen e lumenjve, me seli në Vjenë, për të ngritur dhe financuar një panel ekspertësh vendas dhe ndërkombëtarë.

“Synojmë të ngremë një Park Kombëtar të standardeve ndërkombëtare, që mund të bëhet model për Ballkanin dhe për Europën. Do të jetë Parku Kombëtar i një lumi të egër së bashku me gjithë rrjetin e lumenjve që bashkohen në lumin Vjosa. Synojmë që Parku Kombëtar i Lumit Vjosa të jetë si një far për gjithë parqet e tjera kombëtare, që mund të ngrihen në Shqipëri, Ballkan apo Europë,” thotë për DW, Ulrich Eichmann, drejtor ekzekutiv i “RiverWatch”.

Në ceremoninë e  nënshkrimit të marrëveshjes me organizatën “Pantagonia” ishte i pranishëm edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili e cilësoi Parkun e ardhshëm Kombëtar të lumit Vjosa si ”hapësirë për një zhvillim që mbron mjedisin dhe njëkohësisht ushqen shëndetshëm gjeneratat që do t’ia lënë Vjosën trashëgim njëra pas tjetrës në një rrugë të re, deri më sot të pashkelur në Europë.” Parku Kombëtar i Lumit Vjosa do të jetë më i madhi në Shqipëri, theksoi Rama.

Park unik

Eksperti Ulrich Eichmann, e konsideron si diçka unike që Parku Kombëtar i lumit Vjosa do të përfshijë të gjithë rrjetin e lumenjve që i bashkohen atij. “Do të jetë një Park Kombëtar model ku do të tregohet se ꞔfarë mund të bëhet për ruajtjen e natyrës kur ajo po humbet kudo me një ritëm që nuk është parë kurrë më parë. Do të jetë një model i decentralizuar ku përveç një qendre kryesore informuese do të ketë qendra të tilla të vogla në të gjitha fshatrat. Do të ketë shumë të punësuar dhe përfitime financiare, përmes ruajtjes dhe jo shkatërrimit të natyrës”, thotë për DW, Ulrich Eichmann.

Ai paraqet vizionin e një Parku Kombëtar ku “do të lejohet Eko-Turizmi, do të mblidhen dru zjarri për në dimër, do të hapen shtigje që vendasit dhe turistët e huaj të shetisin”. “Do të ketë një infrastrukturë inteligjente, me gjëra që do të lejohen dhe të tjera që do të jenë të ndaluara. Në dy qendrat e mëdha, moderne të informacionit, turistë nga gjithë bota do të shikojnë video, do të dëgjojnë shpjegime se ꞔfarë do të thotë një lumë i egër, i gjallë si lumi Vjosa dhe rëndësia e mbrojtjes së eko-sistemit të tij. Do të ketë projekte edukuese, roje që kujdesen që parku të mos dëmtohet, të paktën 100 të punësuar me kohë të plotë,” thekson për DW, Ulrich Eichmann.

Sipas tij “lumi Vjosa është lumi i fundit, i madh, i egër, i gjallë në gjithë Europën që ka kanione, zgjerime në disa pjesë që shkojnë deri në 2 km dhe në deltën e tij të paprekur ngrenë folenë pelikanët, gjë që është e jashtëzakonshme, unikale në Europë”

Lumi Vjosa, buron nga malet e Pindit në Greqi, dhe rrugëton në një gjatësi prej 272 km drejt detit Adriatik mes enklavash të paprekura malore, kataraktesh, grykash dhe liqenesh.

Ai ka kanione, zgjerime në disa pjesë që shkojnë deri në 2 km dhe në deltën e tij të paprekur ngrenë folenë pelikanët. Ai është habitat i mbi 1,100 specieve, ndër të cilat 13 janë gjallesa në rrezik zhdukje në rang global. Përveꞔ vlerave ekologjike lumi Vjosa ka vlera kulturore dhe ekonomike për më shumë se 60 mijë banorë, që punojnë dhe jetojnë në fshatrat që shtrihen përgjatë brigjeve të tij.

Shqetësime që duhen adresuar

Qeveria shqiptare e ka anuluar planin e ndërtimit të tetë hidrocentraleve mbi lumin Vjosa dhe degët e saj. Ngritja e digave të hidrocentraleve shihej nga ambientalistët si shkatërrim i lumit, si “një infarkt që bllokon arteriet e qarkullimit të gjakut”.

Pasojat nga ndërtimi i digave të hidrocentraleve janë me efekt domino: bllokim i qarkullimit të ujit që sjell bllokimin e migrimit të peshqve dhe transportit të zhavorrit të lumit, që prodhon rërën e plazheve. Hidrocentrali i Kalivaꞔit, mbi lumin e Vjosës vazhdon të jetë gjysëm i ndërtuar, por lumi ka mbetur i paprekur pasi punimet janë pezulluar prej më shumë se 8 vitesh dhe diga nuk është ndërtuar.

Një shqetësim i ri është shfaqur përballë vizionit të Parkut të ardhshëm Kombëtar të lumit Vjosa: shpimet dhe gërmimet e kompanisë shumëkombëshe të naftës dhe gazit SHELL, për studime gjeo-fizike.

“Jemi të shqetësuar për shpimet e kompanisë SHELL po aq sa edhe për mundësinë e ndërtimeve të hidrocentraleve mbi lumin Vjosa, që mund t’i shkaktojnë atij dëme serioze. Do t’i adresojmë ato pasi synojmë të ndërtojmë një model. ku të mbrojmë dhe jo shkatërrojmë natyrën, ” tha për DW , Ryan Gellert, Drejtori Ekzekutiv i organizatës mjedisore amerikane,”Patagonia”.

Shpimet dhe gërmimet nga kompania SHELL në zona pranë lumit Vjosa janë kundështuar me protesta nga banorët e këtyre zonave si edhe nga organizatat mjedisore, që janë tanimë të ndërgjegjësuar se vetë lumi dhe fshatrat rreth tij janë një ekosistem i rëndësishëm kombëtar, rajonal dhe europian.