Policia zë pesë shtetas të Banglladeshit, po futeshin ilegalisht nga Shqipëria në Kosovë

Patrulla policore nga Stacioni për Mbikëqyrjen e Kufirit-Vërmicë, mbrëmë rreth orës 23:40, gjatë vëzhgimit të terrenit ka vërejtur disa lëvizje të dyshimta të disa personave nga pjesa malore që vjen nga Republika e Shqipërisë në drejtim të Republikës së Kosovës, kryesisht nga pjesa e “Folesë së Shqiponjës”.

Gjatë vëzhgimit, janë vërejtur pesë persona të cilët nga pjesa e malit, zbrisnin në drejtim të autostradës ku po i priste një veturë TAXI me targa vendore. Bëhet fjalë për pesë persona meshkuj, shtetas nga Banglladeshi, të cilët kishin hyrë ilegalisht në vendin tonë dhe qëllim kishin emigrimin në shtetet të perëndimit.

Policia ka arritur ta ndalojë këtë transport, ka intervistuar drejtuesin e automjetit, të dyshuarin mashkull kosovar, 35 vjeçar, i cili deklaron se kishte qëllim që pesë emigrantët t’i dërgonte deri në Prishtinë.

“Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar, është iniciuar rasti, me aktvendim nga prokurori i dyshuari dërgohet në mbajtje për 48 orë, kurse emigrantët dërgohen në Qendrën e Azilit, ndaj të cilëve do të vazhdohet me procedurat e parapara për raste të tilla”, thuhet në komunikatën e policisë.