Zëdhënësi i Qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu është deklaruar rreth publikimit të disa audio-incizimeve të cilat ngritën dyshime për ryshfet në Ministrinë e Infrastrukturës, ku përmendej edhe emri i ministrit Liburn Aliu.
I pyetur rreth këtyre raportimeve, Kryeziu ka deklaruar se e ka parë videon në fjalë, por ka thënë se i mungonin faktet.
“E pashë videon të cilës i mungonin faktet, po kishte me bollëk interpretime. Ndoshta është përpjekja për të krijuar një ‘Pronto 2’ por kjo nuk ndodh me Qeverinë Kurti. Nëse ka diçka që është e pakontestueshme është fakti që kjo qeveri nuk ka korrupsion”, ka thënë Kryeziu në Kanal10.
Ai ka thënë se kjo qeveri është e pa korruptuar dhe e lufton korrupsion.
“Po dëshirojnë ta fusin qeverinë në rangun e qeverive të kaluara”, ka deklaruar Kryeziu.
Kujtojmë se dje ka reaguar edhe këshilltari i ministrit Aliu, Florian Ramqaj, emri i të cilit përmendej në këto audio-incizime.
Ramqaj ka deklaruar se nuk ka asgjë të vërtetë nga ato që po raportohet, duke i quajtur këto raportime shpifje.
Ai ka paralajmëruar edhe padi.
“Nuk ka asgjë të vërtetë te sulmet me shpifje, përveç faktit se shpifjet po porositen nga ata që janë stërpasuruar padrejtësisht. Nga ata që ne ua kemi ndalë hajninë. Pikërisht në kohën kur lëre që nuk ka keqpërdorime por edhe ku janë duke u luftuar e denoncuar cdo ditë keqpërdorimet e mëdha që kanë ndodhur, sidomos në ministrinë Infrastrukturës, sot qenka publikuar një emision, ku për ironi lakohet emri im për kinse keqpërdorime”, ka shkruar Ramqaj në Facebook.