Tuesday, November 26, 2024
Home SPORT Presidenti i FF të Qipros shtroi darkë për krerët e FFK-së

Presidenti i FF të Qipros shtroi darkë për krerët e FFK-së

Qipro dhe Kosova do të përballen nesër prej orës 18:00 në kuadër të Ligës së Kombeve. E në prag të kësaj ndeshjeje, presidenti i Federatës së Futbollit të Qipros, ka shtruar darkë për delegacionin e FFK-së në krye me presidentin Agim Ademi, nënkryetarin Bakir Burri, u.d.sekretarin e përgjithshëm, Taulant Hodaj, drejtorin e Kombëtares, Muharrem Sahiti dhe menaxherin e ekipit kombëtar, Bajram Shala. Në një ambient tejet miqësor, presidenti i federatës qipriote Giorgos Koumas shprehu respektin e tij për presidentin Ademi, për të cilin theksoi se ka raporte tejet miqësore dhe në çdo takim në eventet e UEFA-s qëndrojnë së bashku dhe bashkëbisedojnë për progresin e futbollit. Ai theksoi se e di potencialin e Kosovës, teksa tha se Kombëtarja qipriote është duke u ripërtirë dhe këtë edicion të Ligës së Kombeve do ta shfrytëzojë për ta krijuar një ekip për të ardhmen. Ndërkaq, presidenti Ademi shprehu falënderimin e tij ndaj homologut qipriot për gatishmërinë për ta përkrahur Kosovën në të gjitha aspektet si federata më e re e pranuar në UEFA. Koumas e Ademi uruan për një lojë fer dhe të pëlqyeshme, teksa në fund shkëmbyen edhe dhurata.