​Banka Botërore do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën

Zëvendës Presidente e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Anna Bjerde është duke vizituar Kosovën për të kuptuar më mirë mundësitë dhe sfidat për rritjen ekonomike të vendit, dhe për të diskutuar vizionin afatgjatë zhvillimor të qeverisë, si dhe mbështetjen e Bankës Botërore në të ardhmen.

“Që Kosova të ketë vazhdimisht rritje ekonomike të fortë, të qëndrueshme, dhe që krijon vende pune me cilësi të lartë, Kosova duhet të përmirësojë produktivitetin, të adresojë pengesat në infrastrukturë, të krijojë një mjedis që është më i favorshëm për sektorin privat dhe të investojë në njerëzit e vet”, tha Anna Bjerde.

Gjatë vizitës së saj, Anna Bjerde u takua me Albin Kurtin, kryeministër i Republikës së Kosovës, si dhe me ministra të tjerë të Qeverisë, diplomatë dhe partnerë zhvillimorë. Anna Bjerde gjithashtu diskutoi sfidat aktuale dhe të ardhshme socio-ekonomike me një grup të organizatave të shoqërisë civile të Kosovës në një tryezë të rrumbullakët në Mitrovicën e Veriut.

“Me presionet e vazhdueshme të inflacionit, ndikimin e luftës në Ukrainë në ekonomitë anembanë botës dhe tamponët fiskalë të varfëruar me masat ndaj COVID19, përvoja globale tregon qartë rëndësinë e politikave të mbrojtjes sociale të synuara mirë dhe fiskalisht të qëndrueshme për të mbrojtur më të varfërit dhe më të cenuarit”, ka theksuar Anna Bjerde.

Gjatë qëndrimit të saj në Kosovë, Bjerde vizitoi ish minierat e Korporatës Energjetike të Kosovës për të mësuar nga dora e parë për sfidat mjedisore të Kosovës.

“Kur shpërtheu pandemia e COVID-19, Banka Botërore reagoi menjëherë për të ndihmuar Kosovën të shpëtojë jetë, të mbrojë punëtorët mjekësorë dhe të zbulojë, parandalojë dhe reagojë ndaj përhapjes së COVID-19. Për të mësuar më shumë për vështirësitë me të cilat përballej sektori i shëndetësisë dhe për përmirësimet e arritura përmes ndërhyrjeve të financuara nga Banka Botërore, Bjerde vizitoi edhe spitalin rajonal në Mitrovicën e Jugut, ku takoi mjekë dhe teknikë mjekësorë lokalë.

Sipas një komunikatee, Banka Botërore do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në lëvizjen drejt një rritjeje ekonomike më të qëndrueshme, të orientuar kah eksporti dhe gjithëpërfshirëse për t’u ofruar qytetarëve të saj më shumë mundësi për një jetë më të mirë.

“Banka ka filluar procesin e përgatitjes së Kornizës së re të Partneritetit me Vendin (CPF) për Kosovën për periudhën 2023-2027, e cila do të parashtrojë objektivat kryesore zhvillimore që do të mbështeten. Në maj 2022, portofoli aktiv i huadhënies së Bankës Botërore arriti 379.55 milionë dollarë amerikanë, në 11 projekte në fushat e energjisë, bujqësisë, ujit, shëndetësisë, konkurrueshmërisë, financave, teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), ndihmës sociale dhe reformës së kadastrës. Prej vitit 1999, Banka Botërore ka siguruar dhe/ose ka menaxhuar mbi 500 milionë dollarë në Kosovë përmes rreth 40 operacioneve, duke përfshirë fondet e mirëbesimit. Kosova vazhdon të përmbush kushtet për të marrë financim me kredi koncesionare”, thuhet në komunikatë.