46 muaj burg dhe 7 vjet dëbim nga Zvicra për kosovarin, ka lënduar rëndë një nënë me fëmijë

>Në tetor 2019, një person asokohe 20-vjeçar me BMW M5 të tij qe përplasur me një makinë Ford në Dietikon ZH. Shoferja 42-vjeçare e Fordit dhe vajza e saj katër-vjeçare kishin pësuar plagë të rënda.

Vonë në mbrëmjen e të mërkurës Gjykata e Qarkut e Dietikonit ka shpallur aktgjykimin: i riu kosovar është dënuar pa kushte me 46 muaj burg, transmeton albinfo.ch. Dënimin e ka marrë, ndër të tjera për shkaktim të lëndimeve të rënda trupore të shumta dhe për mosdhënie të përsëritur të ndihmës emergjente.

Përveç kësaj, i akuzuari do të dëbohet nga Zvicra për shtatë vjet. Ai gjithashtu duhet t’i paguajë familjes së viktimës gjithsej rreth 150 mijë franga.

Gjyqtari ka arsyetuar vendimin me dëshmi të besueshme të dëshmitarëve. Këta kanë konfirmuar se i akuzuari vazhdimisht ka nxituar dhe frenuar. “Ai donte të testonte makinën.” Duke bërë këtë, ka ndodhur aksidenti. “Sot ne e dimë se viktimat kanë mbijetuar por mund të ndodhte edhe ndryshe”.

Gjykatësi tha se 22-vjeçari nuk ishte kujdesur mjaftueshëm për nënën dhe vajzën. I akuzuari nuk ka bërë thirrjen e duhur të urgjencës. “Ju kishit kohë të thoshit në telefon se janë dy persona të lënduar”. Por, ai nuk e ka bërë këtë.

Nëna thotë se vajza e saj i vuan ende pasojat e aksidentit 

Sipas aktakuzës, i akuzuari ka vendosur programin e vozitjes sportive në veturë dhe ka fikur kontrollin e qëndrueshmërisë. Pas kësaj, ai ka humbur kontrollin e mjetit.

Ai akuzohet gjithashtu se nuk është përkujdesur për viktimat. Siç raporton “Aargauer Zeitung”, i akuzuari e ka mohuar këtë në gjykatë. Ai thotë se ka folur me nënën e lënduar dhe i ka matur pulsin vajzës, transmeton albinfo.ch. Më pas ai ka shkuar në makinë i tronditur dhe ka ndezur një cigare. Ai nuk di më asgjë pas kësaj.

Lidhur me aksidentin, i akuzuari tha në gjykatë se kishte nxituar në Bernerstrasse, pas së cilës kishte ndodhur aksidenti. “Kam rrëshqitur. Nuk mund të bëja asgjë”, transmeton albinfo.ch. 22-vjeçari pranon se ka ndryshuar programin e makinës.

Megjithatë, arsyeja për këtë mbetet e paqartë. Gjatë gjykimit, 22-vjeçari i ka kërkuar falje familjes së prekur: “Do të doja të ktheja mbrapsht udhëtimin. Por kjo është e pamundur. Me vjen keq.”

Nëna është shprehur në gjykatë se pasojat e aksidentit i vuante ende vajza e saj: “E ka të vështirë të përqendrohet. Ajo gjithashtu ka shpesh dhimbje koke”. Në shkollë, asaj, si nxënëse e klasës së parë i duhet pak më shumë përpjekje. “Shkrimi i numrave apo shkronjave është ende i vështirë për të”. As i akuzuari dhe as avokati i tij nuk e kanë kontaktuar asnjëherë pas aksidentit dhe nuk e kanë pyetur se si ishte.

“Ndeshja në mes të BMW-së së tij dytonëshe me makinën Ford Focus – ishte si ndeshja e Davidit kundër Goliatit”

Sipas aktakuzës, nëna në aksident ka pësuar traumë kraniocerebrale, insuficiencë nervore në krahun e djathtë dhe fraktura të ndryshme, transmeton albinfo.ch. Vajza e saj është diagnostikuar me politraumë: një asht i krisur në kokë, fraktura në rruazën e dytë të qafës, brinjë, rruaza torakale dhe kockë gjoksi, si dhe këputje të ligamenteve, hematoma në meningje, mëlçi të këputur dhe mushkëri të kontuzuara. Fëmija ende vuan nga paraliza e dyanshme e muskujve të syrit dhe ka probleme me perceptimin pamor-hapësinor si dhe me funksionet gjuhësore.

Prokuroria publike ka kërkuar dënim me katër vite burg dhe shtatë vjet dëbim për 22-vjeçarin. I akuzuari, sipas saj, e ka “marrë në konsideratë” aksidentin. “Ai ka ndryshuar profilin e automjetit (duke e kthyer në sistemin sportiv) dhe, si rezultat, ka humbur kontrollin. Ndeshja në mes të BMW-së së tij dytonëshe me makinën Ford Focus – ishte si ndeshja e Davidit kundër Goliatit”.

Prokurori e arsyeton dëbimi nga vendi, ndër të tjera, me faktin e mosdhënies së ndihmës emergjente: “Është një veprim pa karakter dhe çnjerëzor. Ai as nuk e ka kapur dorën e fëmijës dhe as nuk e ka ngushëlluar”.
Nga ana tjetër, avokati i të pandehurit ka kërkuar dënim me burg me kusht prej 20 muajsh për lëndim të rëndë trupor nga pakujdesia, përcjell albinfo.ch. Dëbimi nga Zvicra, sipas tij, duhet të evitohet.

Klienti i tij ka vozitur 74 në vend të 60 km/h, d.m.th. nuk ka zhvilluar ndonjë shpejtësi jashtëzakonisht të madhe. Aksidenti shpjegohet me besim të tepruar dhe neglizhencë.

Avokati i familjes së viktimës ka kërkuar një dëmshpërblim prej gati 150 mijë frangash. Jeta e klientëve të tij ka ndryshuar në mënyrë drastike që nga aksidenti. “Është fat që ata janë ende gjallë”.

Interesi publik për deportim ishte më i lartë

Në lidhje me dëbimin nga shteti, kryetarja e Gjykatës së Qarkut ka deklaruar se lëndimi i rëndë trupor është një shkelje që bën pjesë nëe “katalog”, që nënkupton dëbimin e pashmangshëm nga shteti.

Por si rrethana zbutëse janë përmendur fakti se i akuzuari ka lindur këtu, është rritur këtu, ka shkuar në shkollë këtu dhe familja e tij jeton këtu. Por megjithatë gjykata përfundimisht “ka vlerësuar më lart interesin publik të Zvicrës për t’u mbrojtur nga kriminelët e huaj  se sa interesat private të kosovarit”.