Ka përfunduar seanca në Dhomat e Specializuara në Hagë ku është dëgjuar kundër-dëshmia e një dëshmitari të prokurorisë.
Gjatë gjithë dëshmisë së tij seanca ka vijuar private me vendim të kryetares së trupit gjykues, Mappie Veldt Foglia.
Në këtë seancë gjithashtu u bë e ditur se familja e Salih Mustafës do ta vizitojë atë gjatë javës së ardhshme.
Pas përfundimit të pyetjeve për dëshmitarin e mbrojtur në seancë të mbyllur, avokati i Salih Mustafës, Julius Von Bone ka bërë të ditur se Mustafa pritet të vizitohet nga familja e tij javën e ardhshme.
Ai ka thënë se për këtë arsye, Mustafa nuk mund të marrë pjesë në seanca nëse të njëjtat zhvillohen në ditët kur familja e tij qëndron në Hagë.
“A do të ketë seancë apo konferencë mbi ecurinë e çështjes më 8 apo 9 qershor, Mustafa nuk mund të jetë i pranishëm sepse i vjen familja dhe është e vetmja mundësi për t’u takuar me familjen. Është e vështirë për familjen të vijë kurdo herë andaj është e rëndësishme. Ata vinë nga data 6 dhe do të rrinë deri të dielën”, ka thënë Von Bone.
Lidhur me këtë, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt Foglia ka thënë se për orarin e seancave do të ketë njoftim nga gjykata.
Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë prej 24 shtatorit të vitit 2020 kur është arrestuar.
Në fillim të këtij procesi Salih Mustafa, ndaj të cilët rëndojnë akuza me pretendimin për krime lufte, ishte deklaruara i pafajshëm para trupit gjykues.
Në këtë proces gjyqësor janë dëgjuar 13 dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, shumë prej të cilëve të mbrojtur dhe në seanca të mbyllura apo të redaktuara. Ndërsa mbrojtja e Salih Mustafës ka paraqitur 15 dëshmitarë.