KEDS dhuron dhjetëra kompjuterë për dy shkolla fillore

Nxënësit e dy shkollave, përkatësisht Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Xhavit Syla”në Sllapuzhan të Suharekës dhe ShFMU “Astrit Bytyçi” në Ferizaj e kanë festuar 1 Qershorin, Ditën e Fëmijëve, ndryshe nga herët e tjera. Ata, iu gëzuan një dhurate speciale që morën nga KEDS, dhjetëra kompjuterë, të cilët iu mundësojnë atyre qasjen në botën e informatikës.

Të dy shkollat tashmë kanë ndërtuar përmes këtij donacioni laboratorët e teknologjisë informative. Udhëheqësit e këtyre shkollave janë shprehur mjaft të lumtur që edhe nxënësit e tyre tashmë nxënien e njohurive nga lëmi i informatikës e kanë shumë më të lehtë. Ata janë të sigurt që tashmë rezultatet do të jenë edhe më të mira në këtë lëmi, që aktualisht është më atraktivja në botë.

KEDS ka ndërmarrë një hap të tillë me qëllim që t’i ndihmojë në procesin mësimor nxënësve dhe mësuesve të këtyre shkollave, dhe për t’u ofruar atyre qasje më të lehtë në botën virtuale.

Deri më tani kompania ka dhuruar mbi 180 kompjuterë dhe pajisje të tjera të teknologjisë informative në shumë shkolla fillore dhe organizata të ndryshme të Kosovës. Përfitues direkt janë mijëra nxënës dhe mësues.

KEDS, në kuadër të Përgjegjësisë Shoqërore të Korporatës (CSR) ka qenë vazhdimisht e angazhuar përmes donacioneve të ndryshme dhe programeve, në avancimin e edukimit të brezave të rinj në Kosovë. Në vazhdën e kësaj ka ndihmuar edhe në themelimin e bibliotekave, në infrastrukturën shkollore, ka bërë programe për efiçiencën e energjisë elektrike, pastaj ka projektin më madhor të CSR-së në vend – KEDS Academy, që ekziston prej që kompania ka nisur operimet.