Thëngjilli përveç që vret qytetarët, vret edhe ekonomitë e një vendi, prandaj mbrojtja mjedisore duhet të vendoset në prioritet për Kosovën.
Kështu ka thënë të martën në Prishtinë raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Viola von Cramon, e cila tha se ka ardhur koha për një strategji të energjisë që do t’i hap derën energjisë së ripërtëritshme.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi theksoi se deri në fund të vitit 2022 do të finalizohet strategjia për energji, e cila siç tha ai parasheh dekarbonizimin e energjisë dhe krijimin e mundësisë për energji të ripërtëritshme.
Bislimi në konferencën “Java për zhvillim të qëndrueshëm në Kosovë”, që po mbahet në Prishtinë tha se Qeveria ka miratuar projektligjet që i përkasin mbrojtjes së mjedisit.
Deputetja Eliza Hoxha me këtë rast tha se si Kuvend nuk kanë njohuri për planin dhe strategjinë e energjisë.
Në këtë konferencë, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Viola von Cramon ka thënë po ashtu se Kosova ka burime të pakta të ujit, për çka ka kërkuar nga autoritetet kosovare menaxhim më të mirë të këtyre burimeve.