Kosova përballet me shkallë të lartë të shkeljes së ligjit për duhanin

Në Ditën Botërore pa duhan, u bë e ditur se në botë, rreth 8 milionë njerëz vdesin, si pasojë e tymosjes së duhanit. E, sipas drejtuesve të institucioneve përgjegjëse për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për duhanin, Kosova vazhdon të përballet me shkallë të lartë të shkeljes së këtij ligji.

Duhani është ndër shkaktarët e një numri të madh të vdekjeve në botë dhe ndotjes se ambientit. Kështu po vlerësohet në Ditën Botërore pa duhan. Kryeinspektori sanitar, Ibrahim Tërshnjaku, në një përgjigje për Radio Kosovën tha se Kosova po përballet me shkelje të Ligjit për Duhanin.

“Ligji për kontrollin e duhanit është duke u shkelur me theks të veçantë në të gjitha kafehanet e Kosovës. Ne, si inspektorat, në katër muajt e fundit kemi targetuar mbi 760 kontrolle te subjektet të cilat po e shkelin ligjin dhe 10 për qind prej tyre janë gjobitur për shkelje të Ligjit të Duhanit,” tha Tërshnajku për Radio Kosova

Po ashtu, Tërshnjaku tha se në ditët në vazhdim do të rriten inspektimet dhe do të shqiptohen gjoba aty ku ka shkelje të Ligjit për Duhanin.

“Kemi planifikuar që të intensifikojmë aksionet tona dhe të shqiptojmë gjoba. Për këtë, të gjitha institucionet dhe inspektoratet duhet të jemi bashkë që ta bëjmë ngritjen e ndërgjegjësimit për kontrollin e duhanit”, tha ai.

Përveç shkeljes se Ligjit për duhanin në Kosovë edhe fëmijët janë të rrezikuar pasi shumë të lehtë e kanë blerjen e tij. Kështu, tha në një përgjigje për RTK-në, Arben Lila, nga Qendra Kosovare për Zhvillim dhe Avokim.

“Fëmija im, që është në klasë të pestë, ka ra në kontakt me një nxënës të klasës së tij ku në dyqan ka blerë duhan dhe shitësja pa problem ia ka shitur. Është fjala për cigare elektrike dhe kjo tregon që nuk ka kontroll as në shkolla,” tha Lila për Radio Kosova

Shtetet Anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë krijuan Ditën Botërore Pa Duhan në vitin 1987 për të tërhequr vëmendjen globale ndaj epidemisë së duhanit dhe sëmundjeve të parandalueshme dhe vdekjeve që ajo shkakton. Sipas OBSH- së, bazuar në trendin aktual, gjatë 20 vjetëve të ardhshme, pritet të dyfishohet numri i vdekjeve nga pirja e duhanit. Për nder të kësaj dite Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës do të organizoje aktivitete të ndryshme që kanë për qëllim vetëdijesimin e qytetarëve për rrezikun nga pirja e duhanit.