Grenell i reagon Hovenierit: Nuk është e pasaktë të thuhet se Kurtit nuk iu ofrua një takim në Shtëpinë e Bardhë

Ish-emisari i Presidentit të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i ka reaguar ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, pasi ky i fundit është shprehur i zhgënjyer me disa raportime në mediat kosovare rreth takimit të Kurtit në Uashington me këshilltarin e Joe Biden, Jake Sullivan.

Grenell ka thënë se nuk është pasaktësi të raportohet se Kurtit nuk i është ofruar asnjë takim në Shtëpinë e Bardhë.

“Përderisa është e vërtetë që disa takime mbahen në objektin e Eisenohower, Kurti nuk u shpërblye me një takim në zyrat e Këshillit për Siguri Kombëtare, në dhomën e Rusveltit apo në zyrën Ovale. Ai mund të kishte, po s’i pati”, ka shkruar Grenell.

Grenell ka theksuar tutje se Kurti është përballur me kritika të shumta nga Demokratët dhe Republikanët në Kongres gjatë takimeve në Capitol Hill.

“Ai ishte i mbushur me justifikime dhe jo me ide të reja. Politikanët amerikanë nuk ishin të lumtur që ai refuzoi ndihmën e qeverisë amerikane për energjinë e pastër”, ka thënë Grenell.

Në fund, Grenell ka thënë se edhe ekipi i dobët i presidentit amerikan, Joe Biden është i dëshpëruar me Kurtin.