Artistja shqiptare me renome botërore, Bebe Rexha, këtë vit ka qenë shumë pak aktive në muzikë.
Në pothuajse gjysmën e parë të vitit, ajo nuk ka publikuar ende ndonjë projekt të ri muzikor, duke zgjedhur të jetë tërësisht e përkushtuar në jetën private
Edhe postimet në rrjetet sociale i ka pasur të pakta, megjithatë kohëve të fundit 32-vjeçarja iu ka dhënë fansave të saj përditësime rreth më të rejave në jetën e përditshme të saj.
Ndër të tjerash, ajo publikoi një video në llogarinë e saj zyrtare në TikTok, e cila përmbledh sekuenca të ndryshme nga pushimet e saj të fundit në Miami me të dashurit.
Përmes videos në fjalë, ajo tregon momentet më të lumtura të saj gjatë këtyre pushimeve, që nga nisja me aeroplan, shëtitje me motor-skaf e deri te çastet intime me të dashurin e saj, Keyan Safyari.
Në një moment, interpretuesja e hitit “Chain My Heart” mund të shihet duke i dhënë një puthje plot afsh kineastit amerikan, me të cilin është në lidhje prej gati dy vitesh.
Bebe Rexha gjithashtu iu dhuroi fansave edhe një vështrim të paraqitjes së saj me bikini, duke u krenuar me format e saj të trupit.
Te kjo e fundit, ajo ka qenë gjithnjë e hapur për të folur mbi realitetin dhe për të promovuar pozitivitetin e trupit të saj, ani pse disa herë është komentuar për peshën e tepërt.