Zgjedhja e Presidentit të Shqipërisë, Balla: PS gati të propozojë kandidat, vazhdojmë dialogun me opozitën

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Taulant Balla ka folur sot për procesion e zgjedhjes së presidentit.

Në një komunikim me gazetarët pas seancës së Kuvendit, Balla ka thënë se PS do të propozojë një kandidat apo kandidate për president në raundin e katërt të procesit.

Kujtojmë se tre raundet e para të procesit për zgjedhjen e presidenti kanë dështuar tashmë pasi mazhoranca dhe opozita nuk arritën të bien dakord për të propozuar një emër për president.

“Do të propozojmë duke ndjekur parimet e një procesi, ku dëshira jonë është që të dialogojmë me gjithkënd që dëshiron bashkë me ne të ndajë përgjegjësin e zgjedhjes së presidentit. Në raundin e katërt dhe të pestë, askush nuk mund të marrë peng procesin dhe zgjedhjen e presidentit”, u shpreh Balla.

Ai nënvizoi se do të vazhdojnë që të kërkojnë dialog me opozitës për zgjedhjen e presidentit të ri.

“Në kemi pasur gatishmërinë për t’u ulur në emra konkretë me opozitën. Nëse opozita ka dëshiruar që prej fillimit një president për ta zgjedhur vetë, unë mendoj që nuk i bën nder askujt. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë komunikim dialog më të gjithë deputetët e grupeve parlamentare të opozitës”, tha ai më tej.

Bisedimet ndërmjet maxhorancës dhe opozitës në tre raundet e para nuk prodhuan asnjë rezultat.

Shumica parlamentare i qëndroi vendimit për të mos depozituar asnjë kandidaturë nën argumentin se deri në raundin e tretë kjo është një e drejtë ekskluzive e opozitës, por demokratët në parlament nuk ndryshuan qasje duke e cilësuar këtë ftesë si të pa sinqertë.

Me dështimin e raundit të tretë i hapet rrugë mekanizmit zhbllokues të parashikuar në Kushtetutë ku raundi i katërt dhe i pestë parashikon një votim me shumicë të thjeshtë votash.

Agjenda e socialistëve është programuar që më parë ku pritet që pas djegies të raundit të tretë të mbledhin kryesinë ku do të bëjnë publik edhe emrin që do të çojnë për votim si President i ri i Republikës.

Kushtetuta përcakton se një kandidat për president propozohet me firmat e 20 deputetëve.

Në tre raundet e para, Kushtetuta përcakton se kreu i shtetit zgjidhet me shumicë të cilësuar, 84 vota.

Në raundin e katërt dhe të pestë, presidenti zgjidhet me shumicë të thjesht, me 71 vota.