Mëngjesin e djeshëm mediat raportuan se kishte ndodhur një vrasje në tentativë në Prishtinë.
U përfol se cak i kësaj vrasjeje ishte sigurimi i “Zone Club”, pasi nuk kishte lejuar hyrjen e disa personave në diskotekë.
Arsyen për ngjarjen në fjalë e ka mohuar shefi i sigurimit të “Zone Club”, Valdrin Ramosaj.
Ramosaj deklaroi dje për Indeksonline se rasti kishte ndodhur për motive private dhe se hyrja në “Zone Club” nuk ishte “mollë e sherrit”.
Madje, sipas Ramosajt, sulmi nuk ka ndodhur pranë “Zone Club” por të vendi i ashtuquajtur “Rrethi i Ismetit”.
Ndërkohë, policia ka ndarë detaje se si ka ndodhur ngjarja.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:45, atëherë dhe kur pati të shtëna me armë zjarri.
Të shtënat kishin ardhë nga një veturë pa targa, të cilën e drejtonte një i dyshuar.
Nga vendi i ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar dy gëzhoja, të cilat dyshohen të jenë të armës AK-47, si dhe vetura e viktimës, e cila ishte qëlluar nga dorasi.
“Viktima është dërguar për tretman mjekësor në QKUK dhe më pas është liruar” thuhet në raportin policor.
Rasti u inicua si “Vrasje në tentativë” dhe është duke u hetuar nga njësitet relevante.