Projekti i Anibar “Hapësirat Kulturore të Kosovës” vizitë studimore në Slloveni

Nga data 16 e deri më 22 maj është mbajtur vizita e dytë studimore në Slloveni në kuadër të projektit “Hapësirat Kulturore të Kosovës” që mbështetet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Anibar, 7Arte, Lumbardhi dhe Pogon.

Në këtë vizitë nga Kosova kanë marrë pjesë menaxherë kulturor, përfaqësues të rrjeteve lokale dhe nacionale të kulturës, zyrtarë institucional që mbulojnë dikastere të kulturës, punëtor të ndryshëm kulturor, përfaqësues të mediumeve kulturore dhe të organizatave të shoqërisë civile.

Nën emrin “Rrjetet e Qëndrueshme të Kulturës në Kosovë”, pjesëmarrësit kanë pasur mundësi që në Lubjanë, Koper dhe Maribor të vrojtojnë për së afërmi praktika të partneriteteve publiko-civile dhe të kuptojnë rolin e rrjeteve të kulturës në këto partneritete.

Ndër të tjera, ata kanë kuptuar detajisht mënyrat alternative të menaxhimit të infrastrukturës dhe hapësirave publike, sikundër që janë informuar hollësisht me programet këtyre hapësirave dhe rrjeteve të kulturës. Përgjatë vizitës pjesëmarrësit kanë mësuar më shumë rreth punës së punëtorëve kulturor, organizatave dhe kolektiveve të kulturës përgjatë viteve.

Theks i veçantë është vendosur edhe mbi ndikimet e efektshme të rrjeteve të kulturës në avokimin e të rinjve për përfshirje dhe për politika më të favorshme kulturore. Në fund, pjesëmarrësit kanë parë perspektiva të ndryshme të zhvillimit të qëndrueshëm të rrjeteve të kulturës, por edhe forma të ndryshme të përdorimit të rrjeteve sociale në informimin, zhvillimin dhe krijimin e audiencave.