Paneli i Gjykatës së Apelit ka konstatuar se palët në rastin e Nasim Haradinajt e Hysni Gucatit,duhet të paraqesin njoftimet e tyre për apel ndaj aktgjykimit të shkallës së parë deri më 17 qershor.
Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj më 18 maj u shpallën fajtorë dhe u dënuan me nga 4 vjet e gjysmë burgim dhe gjobë në shumën prej 100 euro, për veprat penale që ndërlidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në shkresën e Apelit thuhet se Haradinaj ka kërkuar urgjentisht sqarim nëse pikënisja e afatit për paraqitjen e njoftimeve për ankesë sipas rregullit 176 (2) të Rregullores është shpallja e aktgjykimit apo përkthimi i tij në gjuhën shqipe.
Sipas shkresës, në veçanti, ai ka parashtruar se më 18 maj 2022, atij iu dha një kopje e vërtetuar e aktgjykimit në gjuhën angleze, një gjuhë të cilën ai nuk e kupton mjaftueshëm.
“Kjo mohon, sipas Haradinajt, aftësinë e tij për të udhëzuar mbrojtësin në apel dhe ndikon negativisht në drejtësinë e procedurës”, thuhet tutje.
Po ashtu, në shkresë thuhet se paneli thekson se në përputhje me Rregullën 176 (2) të Rregullores, një palë që kërkon të apelojë një aktgjykim dënues duhet të paraqesë një njoftim apeli, duke paraqitur bazat e apelit brenda 30 ditëve nga gjykimi me shkrim ose vendimi i dënimit.
“Më tej, në përputhje me rregullin 72 (2) të Rregullores, çdo trup gjykues i ngritur me procedurë për mospërfillje, të tilla si ato aktuale, mund të zvogëlojë afatet kohore dhe të marrë çdo masë tjetër sipas nevojës për përshpejtimin e procedurës, duke pasur parasysh të drejtën e të akuzuarit për gjykim të drejtë”, thuhet tutje.
Sipas Apelit, në bazë të Rregullës 9 (3) të Rregullave, afatet kohore fillojnë nga dita e parë e punës pas nxjerrjes së një vendimi.
“Për më tepër, rregulli 8 (5) i Rregullave parashikon që kufizimet kohore nuk do të zgjasin derisa një palë ose pjesëmarrës tjetër që kërkohet të ndërmarrë veprime të ketë marrë nga Sekretari përkthimin e një dokumenti në një nga gjuhët e punës, ku dokumenti i tillë është paraqitur në gjuhë të ndryshme nga një nga gjuhët e punës”, thuhet në këtë shkresë.
Tutje, theksohet se në rastin konkret, aktgjykimi është lëshuar në gjuhën angleze, e cila është përcaktuar si gjuhë e punës e procedurës.