Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka vlerësuar se ka pasur keqinformim publik karshi çështjes së Aktvendimit të Gjykatës Themelore për, siç thonë ata, shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për tarifat me pakicë të energjisë elektrike.
“ZRRE qartëson për publikun e gjerë dhe për konsumatorët se Gjykata ka marrë aktvendim për shtyrje të zbatimit të vendimit por jo anulim të vendimit. Për më tepër shqyrtimi meritor akoma nuk ka filluar nga Gjykata Themelore lidhur me vendimin për tarifat me pakicë. Prandaj, përderisa ende nuk ka ndonjë verdikt final të çështjes meritore nga gjykata, ZRRE fton të gjitha palët e interesit, që të përmbahen nga deklarimet e pamatura dhe të bëhen pjesë konstruktive e tejkalimit të krizës së energjisë”, thuhet në komunikatën e tyre për media.
Nga kjo zyrë thonë se po respektojnë aktvendimin e të gjitha gjykatave dhe se i janë drejtuar Gjykatës Supreme për mendim juridik lidhur me implementimin e vendimit të Gjykatës Themelore.
Komunikata e plotë:
Ditëve të fundit ka pasur keqinformim të publikut lidhur me Aktvendimin e Gjykatës Themelore për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për tarifat me pakicë të energjisë elektrike.
ZRRE qartëson për publikun e gjerë dhe për konsumatorët se Gjykata ka marrë aktvendim për shtyrje të zbatimit të vendimit por jo anulim të vendimit. Për më tepër shqyrtimi meritor akoma nuk ka filluar nga Gjykata Themelore lidhur me vendimin për tarifat me pakicë. Prandaj, përderisa ende nuk ka ndonjë verdikt final të çështjes meritore nga gjykata, ZRRE fton të gjitha palët e interesit, që të përmbahen nga deklarimet e pamatura dhe të bëhen pjesë konstruktive e tejkalimit të krizës së energjisë.
ZRRE informon publikun se është duke i respektuar aktvendimet e Gjykatave të Republikës së Kosovës dhe bazuar në aktvendimin e gjykatës ka nxjerrë vendim për zbatim të këtij aktvendimi, e të cilin ia ka dërguar të licencuarit për zbatim.
Duke marrë parasysh paqartësitë rreth implementimit të vendimit të ngritura edhe nga Furnizuesi me Shërbim Universal lidhur me faturimin, ZRRE i është drejtuar Gjykatës Supreme për mendimin juridik, Gjykatës së Apelit, Gjykatës Themelore dhe Këshillit Gjyqësor duke kërkuar udhëzime lidhur me mënyrën e zbatimit të vendimit të Gjykatës.
ZRRE siguron të gjithë konsumatorët e energjisë elektrike se nuk do të dëmtohen nga procesi i faturimit të energjisë elektrike.