Zyrtari i PDK-së, Betim Gjoshi, ka komentuar refuzimin e Vetëvendosjes për të votuar pro Projektligjit për tërheqjen e Trustit.
Me anë të një postimi në Facebook, Gjoshi ka thënë se kryeministri është kundër kësaj ideje vetëm pse ajo është e PDK-së dhe ka sipas tij një mbështetje të madhe në popullatë.
“Merreni me mend se kundër tërheqjes së mjeteve nga Trusti po dalin deputetët e ministrat e Albin Kurtit që vetë i tërhoqën mijëra euro po nga Trusti”, ka shkruar ai.
Ai në postimin e tij ka publikuar edhe një tabelë që tregon zyrtarët e VV-së që kanë tërhequr në të kaluarën 10%-shin nga Trusti.
Postimi i plotë i Gjoshit:
Ende nuk kemi asnjë arsye të fortë nga pushteti pse është kundër tërheqjes së 30% të mjeteve të Trustit, ashtu siç ka propozuar Partia Demokratike e Kosovës.
Ka veç një arsye pse Albin Kurti është kundër – Kryeministrit po i vjen inati që ideja e PDK-së ka një mbështetje kaq të madhe në popull, por edhe te deputetët e pozitës. Nuk shpjegohet ndryshe kundërshtimi i paarsyeshëm i Kurtit dhe disa deputetëve e ministrave të tij.
Merreni me mend se kundër tërheqjes së mjeteve nga Trusti po dalin deputetët e ministrat e Albin Kurtit që vetë i tërhoqën mijëra euro po nga Trusti.
Kryeministri duhet të çlirohet nga këto ngarkesa dhe t’i lejojë deputetët e tij që me vullnetin e lirë të votojnë për projektligjin e propozuar nga PDK-ja.