Ish-kandidati i VV-së i zhgënjyer: Ndryshimi nuk nënkupton vetëm fjalë të mira, por edhe vepra të mira

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje njeherit ish-kandidati për kryetar të Komunës së Podujevës, Ajet Potera është zhgënjyer me partinë të cilës i përket.

Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në “Facebook”, Potera mes tjerash shkruan se “ndryshimi nuk nënkupton vetëm fjalë të mira, por edhe vepra të mira”.

Ish-kandidatit të VV-së për Podujevën nuk po i pëlqen qeverisja nga bashkëpartiaku i tij, Shpejtim Bulliqi.

Sipas tij qeverisja në Llap është kthyer ‘prapë në binarët e vjetër’ .

“Kemi shpresë ende me nivelin qendrorë dhe nuk kisha dashur kurrë që kjo të ndodh njëjtë me qeverisjen Qendrore”, ka shkruar ai.

Reagimi i plotë:

Kur u ndryshua qeverisja në Komunën e Podujevës ndërgjegjja qytetare e komunës sonë reflektoi nivel të lartë politik, duke na ofruar e mundësuar marrjen e përgjegjësive, duke na besuar që të sendërtojmë rregullsi në jetën praktike. Ishte momenti, ishte fryma për ndryshim rrënjësor. Ishte gatishmëria qytetare për të kthyer atë vend për së mbari, për vendosjen e ligjshmërisë, e deshën atë ndryshim, më shumë se vet qeverisja, prandaj edhe e votuan!

Ata deshën të kenë institucione që i bën qytetarët të ndihen të organizuar, të realizojnë të drejtën e tyre që parashihet me ligje, të realizojnë projekte për lagjen e fshatin e tyre pa dallim, të ndihen e të trajtohen të barabartë. Donin ndryshime rrënjësore në arsim e shëndetësi, në siguri e bujqësi e gjithsesi në administratë. Për qytetarët llapjanë ndryshimi ka qenë i shumë pritur e i mirëseardhur. Qytetari Llapjan e dha provimin si shpeshherë kur e ka kërkuar nevoja.

Por jo, nuk ndodhi ndryshimi i shumë pritur, diçka shkoi keq dhe qeverisja u kthye prapë në binarët e vjetër.

Pse?

Qytetari Llapjan e meriton të realizojë çdo ëndërr që ju është mohuar nga kushdo qoftë. Nuk guxon nga asnjë përfitues, abuzues, kriminel, keqpërdorues e lere më nga administrata të trajtohen padrejtësisht.

Kemi shpresë ende me nivelin Qendrorë dhe nuk kisha dashur kurrë që kjo të ndodh njejtë me qeverisjen Qendrore.

Mos të lejojmë të na ikë nga dora ndryshimi për të cilin populli ka votuar. E ne jemi zotuar e kemi premtuar shumë e jemi hyrë në obligime.

Ndryshimi nuk nënkupton vetëm fjalë të mira por vepra të mira. Nuk nënkupton vetëm ankesa por veprim. Nënkupton guxim ndaj sfidave përpara.

Disa si në qeverisje lokale ashtu edhe qendrore, duhet shpejt dhe shpeshherë të kalibrojnë, ratifikojnë shënjestrat sepse e kanë huqur shumë cakun.

Një aktivist politik pavarësisht në cilën parti është nuk duhet që të jetë aq shumë servil e i dëgjueshëm. Subjekti ka nevojë për aktivistë të zëshëm e kritik, jo veç çka ju servohet, e veç numër (kjo është njejtë sikur luftëtari në betejë në istikame nuk shkrep asnjë plumb dhe ruhet mos të plagoset e mos të vritet. Kurse në poligon të gjuajtjeve bëjnë kërdinë).

Populli votoi për ndryshim me plot kuptimin e fjalës.