Presidenti Agim Ademi, në shoqëri të anëtarit të KE-së nga regjioni i Prizrenit, Mirsad Çollaku dhe u.d. sekretarit të përgjithshëm Taulant Hodaj është pritur sot nga kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj dhe nënkryetari Kujtim Gashi, i cili më herët ishte ministër i sportit. Gjatë këtij takimi u diskutua për zhvillimin e futbollit dhe për bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve, me qëllim të realizimit të projekteve të përbashkëta në përmirësimin e mëtejmë të infrastrukturës në këtë komunë. Të dy palët u dakorduan që të nënshkruajnë Memorandumin e Bashkëpunimit, nëpërmjet të cilit do të bëhen investime të përbashkëta, me synimin e krijimit të kushteve sa më të mira për zhvillimin e aktivitetit sportiv për të rinjtë e kësaj ane.