Klinaku i OVL-së paralajmëron Qeverinë: Nëse s’rriten pensionet ua zëmë derën, s’u lëmë as me hy as me dalë

Sot në Kuvendin e Kosovës, është duke u diskutuar çështja e projektligjit për Pagën Minimale, i cili pritet të votohet gjatë seancës së sotme.

Por edhe pse pritet që paga minimale do të rritet përmes këtij projektligji, është një pjesë e shoqërisë, ajo e veteraneve të luftës që nuk do të përfitojnë nga kjo rritje pasi që ata nuk janë të përfshirë brenda këtij ligji.

Rreth kësaj, lajmi.net, ka kontaktuar me Faton Klinakun, i cili është ushtrues detyre në pozitën e kryetarit tek Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Klinaku tha se, nëse ligji ndryshohet, pra nëse edhe veteranët e luftës nuk përfshihen brenda rritjes së pagës, atëherë ata do të dalin në rrugë.

“Edhe unë veç po e pres se çka po bëjnë. Ne e kemi thënë vazhdimisht, nëse nuk e ndryshojnë ligjin nuk i rrisin pensionet, na kanë në rrugë para dere”, tha Klinaku.

Madje ai shkoi me tutje, ku tha se nëse veteranët nuk përfitojnë nga ligji i pagave, atëherë, ata do t’ua zënë derën udhëheqësve që të mos i lejojnë as “të hyjnë e as të dalin”.

“Kur të thojm ne një fjalë, që kemi me ia nxanë derën, e s’kemi me lanë me hi e me dalë, unë s’i bi pishman, u krye kjo punë. Veç po e presim se çka po bëjnë. Ne jemi duke i përcjell diskutimet, dhe qëndrimi është qysh ka qenë, qysh e kemi thanë. Jo protesta, ja mos me lanë me dalë, ja mos me lanë me hi, ju kemi kallëzua se nuk i bim pishman ne ma. A protesta, a demonstrata, ne e kemi thanë në televizor që ia u nxamë derën, se lajna me hi e as me dalë”, përfundoi Klinaku.

Këtë projektligj, i cili i lë jashtë rritjes së pagës veteranët, e kanë kritikuar edhe nga opozita.

Ka qenë Avdullah Hoti, deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i cili ka thënë se ky projektligj po rregullon përfitimet vetëm për një pjesë të shoqërisë.

Tutje ai ka thënë se pushteti përmes këtij projektligji po shkëput pensionin e veteranit me pagën minimale, duke shtuar se pensioni për veteranët e luftës është burim i të ardhurave e jo përfitim.

“Mënyrën se si e keni shkru këtë ligj, ju targetoni vetëm një pjesë të vogël të shoqërisë. Po ashtu heqet lidhja e pagës minimale me përfitimet që marrin veteranët e luftës. Një veteran i luftës, nëse merr pensionin e veteranit të luftës nuk mund të punojë. Përfitimet që marrin veteranët e luftës është burim i të ardhurave dhe jo shpërblim”, ka thënë Hoti.

Kujtojmë se sot, pensioni i veteranit dhe paga minimale janë të njëjta, në shumën 170 euro.

Ndërsa me projektligjin e ri, paga minimale pritet që të rritet në 250 euro, ndërsa pensioni i veteranit nuk do të lëvizë fare, pra do të jetë në vlerën e njëjtë, në 170 euro.