Krasniqi: Anëtarësimi në KE do të hapë perspektivë të re për Kosovën

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshill e Evropës, ku ka thënë se se është i hapi i duhur dhe të cilin kanë kërkuar të ndodhë sa më parë.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, ai ka thënë po ashtu se si opozitë këtë nismë do ta mbështesin në të gjitha hapat e ardhshëm.

“Aplikimi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës është hap i duhur për të cilin s’do të duhej të kishte pasur hamendësim dhe të cilin e kemi kërkuar të ndodhë sa më parë. E përshëndesim këtë nismë dhe si opozitë do ta mbështesim në të gjithë hapat e ardhshëm këtë proces, në mënyrë që kjo objektivë shtetërore e shoqërore të realizohet sa më parë”, ka thënë Krasniqi.

Tutje ai ka shtuar se anëtarësimi i Kosovës në KE do të hapë perspektivë të re dhe shumë të nevojshme për Kosovën

“Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, jo vetëm që e ofron Kosovën me vlerat demokratike evropiane, por i hapë perspektivë të re dhe shumë të nevojshme institucioneve të Kosovës, qytetarëve dhe shoqërisë tonë në përgjithësi”, ka përfunduar Kransiqi.