Me rastin e fillimit të publikimit të raporteve të auditimit nga Zyra Kombëtare e Audtimit, auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi të enjten se rezultatet e auditimit kanë nxjerrë në pah se edhe më tutje ekzistojnë parregullsi thelbësore në menaxhimin financiar dhe të kontrollit.
Në konferencën për media, ZAK ka publikuar raportet auditimit 2021/22 të rregullisë për disa komuna, të performancës së nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare dhe Prokurimin në Korporatën Energjetike të Kosovës (2018-2020).
Spanca tha se krahasuar me vitet e kaluara, situata është edhe më e rënduar. Kjo sipas saj, kryesisht nëpër komuna.
“Janë 13 raporte nga 134 raporte të auditimit, mirëpo prej asaj që e kam vërejtur, mangësitë janë të njëjta, mos të themi situata është edhe më e rënduar posaçërisht tek niveli lokal. Ndoshta kjo ka qenë edhe për shkak të zgjedhjeve, mirëpo në disa raste situate është edhe më rënduar”, theksoi Spanca.
Derisa theks të veçantë për të gjeturat, Spanca i bëri për raportin e KEK-ut.
Sipas Spancës, aktivitetet e prokurimit janë realizuar kryesisht me negocim të çmimit me ç’rast Korporata Energjetike e Kosovës, përveç që nuk ka siguruar transparencë në prokurim, në disa raste ka paguar më shtrenjtë për mallrat dhe shërbimet e blera.
“Korporata Energjetike e Kosovës kishte zhvilluar disa aktivitete të prokurimit në atë mënyrë që kishte reduktuar apo eliminuar konkurrencën në mes të operatorëve ekonomik ose kishte diskriminuar në dëmë ose në të mirë të një ose më shumë operatorëve ekonomik. KEK kishte lidhur numër të konsiderueshëm të kontratave të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, duke i arsyetuar me situata të emergjencave ekstreme përderisa rrethanat që e kishin krijuar këto situata i atribuohen neglizhencës ose lëshimeve të saj. Aktivitetet e prokurimit janë realizuar kryesisht me negocim të çmimit me ç’rast KEK, përveç që nuk ka siguruar transparencë në prokurim, ne disa raste ka paguar më shtrenjtë për mallrat dhe shërbimet e blera”, theksoi ajo.
Spanca ka thënë po ashtu se rezultatet e auditimit kanë nxjerrë në pah se edhe më tutje ekzistojnë parregullsi thelbësore në menaxhimin financiar dhe kontrollit.
“Parregullsitë janë të përhapura pothuajse në secilin cikël dhe fushë të shpenzimeve. Po i përmendi vetëm disa: Angazhimi i punonjësve me marrëveshje për shërbime të veçanta pa respektuar procedurat e prokurimit publik dhe kryesisht për punë dhe detyra te rregullta te organizatës, mangësi në procesin e prokurimit publik, disa prej tyre, përdorimi i procedurës jo adekuate te prokurimit publik, tejkalim i vlerës se kontratave, mangësi në menaxhimin e kontratave, inicim i projekteve pa zotim të mjaftueshëm të fondeve, mos pagesa e faturave brenda afatit 30-ditëve, mungesa e planit vjetor të mbështetjes financiare të OJQ-ve. Po ashtu mangësi në procesin e vlerësimit të aplikacioneve për subvencion, jo efikasitet ne verifikimin e pronave komunale, masa jo te mjaftueshme ne inkasimin e llogarive te arketueshme dhe njësi të auditimit të brendshëm të pakompletuara”, tha Spanca.
Gjithashtu ZKA ka kryer auditimin e performncës “Vlerësimi i nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare.
Bazuar në gjetjet, konkluzioni i auditimit është se në institucionet e përgjegjëse nuk kanë arritur të përmirësojnë metodat e marrëdhënies dhe vlerësimit në përputhje me kërkesat e kurrikules dhe praktikat më të mira të nxjerra nga Agjencia Evropiane për Sigurimin e Cilësisë.
“Rezultatet e testeve ndërkombëtare në të cilat ka marrë pjesë Kosova tregojnë se ne po marrim shumë pak pikë krahas me vendet e tjera në vendin e tretë të fundit nga 77 vendepjesëmarrëse, që është tregues se synimi i rezultateve sipas lëndëve në kurrikulë nuk po zbatohet siç është synuar. Për më shumë, Komiteti i Vlerësimeve Ndërkombëtare nuk është themeluar që do t’i vlerësonte dhe adresonte mospërputhjet dhe boshllëqet. Rezultatet e testit kombëtar të arritshmërisë janë relativisht të larta dhe ndryshojnë shumë me vlerësimin vjetor që bëhen nga mësimdhënësit. Disa nxënës me notën 2 arritën të marrin deri në 84 nga 100 pikë. Nuk ka asnjë dëshmi nëse Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe drejtoritë komunale të arsimit, kanë ndërmarrë ndonjë hap që t’i analizojnë këto dallime, të cilat tregojnë se qëllimi i testit të arritshmërisë nuk është arritur dhe si rezultat mund të demotivojë dhe të nxis një kulturë jo të mirë mes nxënësve”, tha ajo.
ZAK ka publikuar 13 raporte të auditimit në Institucione përkatëse të audituara. Prej tyre, janë 11 raporte te auditimit financiar dhe pajtueshmërisë, si dhe dy raporte të auditimit të performances.
Raportet e kryera të auditimit financiar dhe pajtueshmërisë janë dërguar për Komunat: Gjilan, Skenderaj, Vushtrri, Kamenicë, Gracanicë, Zveçan, Shtërpcë, Mitrovice e Jugut, Mitrovicë e Veriut dhe Novo Bërdë. Gjithashtu, një raport është dërguar për Ministrinë e Ekonomisë.