Raundi i ri i dialogut Kosovë-Serbi do të mbahet më 13 maj në Bruksel. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviq do të tentojnë të premten të gjejnë një zgjidhje për targat e automjeteve, energjinë në veri të vendit dhe personat e zhdukur.
Takimin për KosovaPress e kanë konfirmuar nga Bashkimi Evropian dhe zyra e Bislimit, ndërsa njohësit e procesit të dialogut janë optimistë për arritjen e një ujdie mes dy vendeve, pas takimit të javës së kaluar të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Vuçiq në Berlin të Gjermanisë.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha se takimi i radhës i kryenegociatorëve përveç diskutimeve për arritjen e marrëveshjeve ka qëllim edhe përgatitjen e takimit të ardhshëm të nivelit të lartë të dialogut.
“Dialogu i ndërmjetësuar nga BE do të vazhdojë të premten më 13 maj me një takim në nivelin e kryenegociatorëve në Bruksel. Qëllimi është të vazhdojnë diskutimet për gjetjen e një rruge përpara për një sërë çështjesh dhe të përgatitet takimi i ardhshëm i nivelit të lartë të dialogut. Të gjitha temat e diskutuara në takimin e fundit të kryenegociatorëve në prill do të jenë sërish në agjendë, veçanërisht targat, energjia dhe personat e zhdukur”, thotë Stano.
Detaje të shumta për takimin nuk kanë dhënë nga zyra e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, por vetëm njoftuan për temat që pritet të diskutohen në Bruksel.
“Me 13 maj, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, do të marrë pjesë në takimin e radhës në Bruksel. Në këtë takim pritet të flitet për temën e targave dhe energjinë”, thotë Klisman Kadiu nga zyra e zëvendëskryeministrit Bislimi.
Nga ana tjetër, Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se takimi i dy liderëve ballkanikë Kurti dhe Vuçiq me kancelarin gjerman, Olaf Scholz i ka dhënë një dinamik të re dialogut Kosovë-Serbi.
Sipas tij, tani janë krijuar kushtet në teren që të ketë një marrëveshje përfundimtare për targat e automjeteve, por të bëhet përparim edhe në çështjen e të pagjeturve dhe energjisë në veri.
“Duke marrë parasysh edhe takimin e kaluar u pa se mungon një lloj gatishmërie e Serbisë për të arritur një marrëveshje përfundimtare për targat, por konsiderojmë se kanë ndryshuar konteksti rreth dialogut Kosovë-Serbi, sidomos me vizitën e Kurtit dhe Vuçiq në Berlin. Aty e pamë një lloj stimulimi dhe incentivë të re nga Gjermania dhe BE-ja në veçanti. Marrë parasysh këtë lloj rienergjizimi të dialogut dhe takimin në Berlin, konsiderojmë se kushtet në teren janë që të ketë një marrëveshje përfundimtare për targat, pasi marrëveshja e përkohshme rezultoi të jetë e suksesshme. Tani situata në teren është e krijuar që të ketë një marrëveshje përfundimtare edhe bllokada e lëvizjes së lirë nuk i konvenon as Kosovës dhe Serbisë. Do të ishte një stimulim shtesë dhe incentivë nëse do të kishim një marrëveshje edhe për energjinë (në veri) dhe të pagjeturit. Në këto dy pika presim një rezultat afatshkurtër, apo afatmesëm”, thotë ai.
Ndërsa, njohësi i procesit të dialogut, Gazmir Raci thotë për KosovaPress se pala serbe në takimin e 13 majit është e interesuar të ketë disa marrëveshje në paketë në kuadër ujdisë për targat.
“Nëse pala serbe është në favor që të ketë marrëveshje vetëm për targat, pasi sipas informacioneve pala serbe është e interesuar të ketë disa marrëveshje në paketë në kuadër të kësaj marrëveshje, të shohim si të jetë kompromisi përfundimtar… Palët tani duhet të koncentrohen në nivelin më të lartë të dialogimit për të arritur marrëveshjen finale dhe të lihen anash çështjet teknike, pasi vetëm po bëhen pengesë, por po janë edhe mundësi e ngritjes së tensioneve në dy anën e kufirit”, thotë ai.
Muajin e kaluar dështoi të arrihet marrëveshja për targat e automjeteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Javën e kaluar, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq zhvilluan një takim në Berlin, ku kreu qeveritar tha se u diskutua për marrëveshjet e mundshme që do të arrihen në takimin e kryengociatorëve.