Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka folur në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti pas takimit që të dy liderët kanë zhvilluar në Berlin të Gjermanisë.
Scholz është pyetur për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë dhe kjo sipas tij funksionon me marrëveshje konkrete midis dy vendeve.
Ai gjithashtu ka thënë se Gjermania dhe Bashkimi Europian nuk e luan “arbitrin” dhe nuk gjykon të drejtën ose të padrejtën, por ua mundëson liderëve të Kosovës dhe Serbisë të ushtrojnë lidershipin e tyre.
Kancelari gjerman ka thënë se ka vullnet për përparime dhe se është shumë e rëndësishme të krijohet kuadri për dialog duke filluar nga rigjallërimi i procesit të Berlinit e deri të anëtarësimi në Bashkimin Europian.
“Kjo do të funksionojë përmes marrëveshjeve konkrete që do të arrijnë të dyja vendet dhe janë shumë detaje këtu dhe natyrisht këtu bën pjesë edhe ajo që ka kërkuar Gjermania prej kohësh që është njohja e Kosovës. Të gjitha duhet të bëjnë përparime shpejt. Ne me gjithë dëshirë japim mbështetjen tonë në mënyrë që kjo të arrihet. Ne nuk gjykojmë se kush ka të drejtë, por ne ofrojmë mundësi për të pasur lidership që liderët të ushtrojnë lidershipin, kam përshtypjen që vullneti është shumë i madh për të bërë përparime, prandaj është shumë e rëndësishme për të krijuar kuadrin, e para është rigjallërimi i procesit të Berlinit që ka dhënë kontribut të madh për bashkëjetesën në Ballkan, e dyta është natyrisht anëtarësimi në Bashkimin Europian që është e rëndësishme dhe përspektive realiste, ia vlen që të merren vendime.”, tha Scholz.