Partia Socialdemokrate (PSD) ka realizuar një aksion simbolik përpara objektit të Qeverisë, duke dërguar lavatriçe me para brenda tyre, për ta përshkruar pretendimin për shpëlarje parash nga ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Nënkryetari i PSD-së, Zgjim Hyseni, e ka quajtur ambasadorin kosovar “sekser” dhe “tregar i energjisë” përgjatë një prononcimi për media.
“Domethënë ambasadori Martin Berishaj e ka hapë një xhirollogari në Mal të Zi me vetëm veten e tij punëtor dhe hopa, 600 mijë euro tërheqje. Paret në dorë, masnej në strajcë. Prejardhja e pareve është Beogradi. Na e dimë që kushdo që bën tregti me Beogradin, pavarësisht cila është kompania, është tepër e vështirë mos me ra nën rrjetën monopol të ashtuquajturës “Mafi energjetike e Ballkanit”. Mos me qenë i lidhur me kompanitë EFT dhe Rudnap që e qarkullojnë krejt këtë treg. E, këto kompani, janë të lidhura me emrat famëkeq Fazlliq, Stanishiq e Hamoviq”, ka thënë ai.
“Ambasadori Berishaj, për më tepër, nuk i ka deklaruar këto kompani në Agjencinë Anti-Korrupsion. Sipas ligjeve në Kosovë, mos-deklarimi i pasurisë apo deklarimi i rrejshëm përbën vepër penale. Ambasadori Berishaj del të jetë edhe ambasador, edhe profesor, e paramendo në të njëjtën kohë, sekser dhe tregtar i energjisë”, ka shtuar Hyseni.
“Krejt kjo aferë nuk është e izoluar me personalitetin e një ambasadori. Dje u kuptu që udhëheqësit e KEK-ut kanë qenë bashkë me ambasadorin Berishaj dhe kanë bërë negociata atje”, ka thënë ndër të tjera ai