Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Burim Meta, ka reaguar rreth skandalit financiar ku raportohet të jetë i përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Përmes një postimi në Facebook, Meta, ka thënë se ambasadori Berishaj duhet të lirohet nga detyra, pasi që me një vendim të tillë, Kosova do ta ruaj imazhin e saj.
“Është mirë që z. Berishaj të lirohet nga detyra deri në vërtetim të pafajësisë. Me një vendim të tillë, në këtë situatë që gjendet shteti ynë, do të ruhej imazhi i Kosovës pakrahasimisht më shumë sesa me mbajtjen në detyrë të Ambasadorit në fjalë, duke respektuar edhe prezumimin e pafajësisë”, ka thënë Metaj.
Tutje, ai ka shtuar se Kosova nuk guxon të rrezikojë që të përfaqësohet në një shtet mik siç është Kroacia me një figurë siç është Berishaj.
Postimi i Metajt:
Jo Heshtje! Bazuar në bindjet e mia, mendoj që për rastin e ambasadorit z. Martin Berishaj, duhet të merret një vendim. Është mirë që z. Berishaj të lirohet nga detyra deri në vërtetim të pafajësisë.
Me një vendim të tillë, në këtë situatë që gjendet shteti ynë, do të ruhej imazhi i Kosovës pakrahasimisht më shumë sesa me mbajtjen në detyrë të Ambasadorit në fjalë, duke respektuar edhe prezumimin e pafajësisë.
Gjithashtu, si shtet nuk guxojmë që të rrezikojmë që në një shtet mik, siç është Kroacia, shtet që e kemi referencë në shumë procese, të përfaqësohemi me një figurë të përfolur tashmë për gjëra që më së paku do të duhej të përfolen ambasadorët. /Lajmi.net/