Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka deklaruar se liberalizimi i vizave për Kosovën duhet të ndodhë tani.
Në Sofje të Bullgarisë, ku po zhvillohet forumi BE-Ballkan, nën drejtimin e ish-kryediplomates së Bashkimit Evropian dhe ndërmjetësueses së dialogut Kosovë-Serbi, Federika Mogherini, Gërvalla ndër të tjerash ka thënë se nuk ka asnjë pengesë sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave dhe se Kosova po punon për anëtarësim në BE.
“Kosova duhet të bëjë progres sa i përket liberalizimit të vizave dhe kjo është diçka që duhet të ndodhë tani sepse s’ka asnjë arsyetim më. Së fundmi ka pasur zgjedhje në Francë dhe shpresojmë për një përparim në këtë drejtim dhe shpresojmë që të gjithë partnerët dhe aleatët tanë në Bashkimin Evropian do të ndihmojnë për të ecur përpara, por liberalizimi i vizave nuk është qëllimi evropian i Kosovës. Synimi i Kosovës është anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian dhe për këtë po punojmë.”,deklaroi Gërvalla.
Ministrja gjithashtu tha se përmendja e Kosovës është ndryshe prej shteteve të tjera të Ballkanit, për rrugën e integrimit drejt Bashkimit Evropian.
“Përmendja e Kosovës ndryshe prej vendeve të tjera të Ballkanit për rrugën e integrimit drejt Bashkimit Evropian duhet të ndryshojë sepse Kosova do të aplikojë këtë vit për kandidaturën dhe për anëtarësim. Më pas do ta shohim se sa serioz do të jetë Bashkimi Evropian në adresimin e fakteve dhe sfidave që Kosova duhet t’i përmbushë që të bëhet anëtare.”, shtoi ajo.
Ministrja Gërvalla tha gjithashtu se BE-ja para se të jetë një projekt i suksesshëm ekonomik, është edhe projekt i paqes dhe projekt politik.
“Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e këtij projekti politik sepse ky projekt ka vendosur njëherë e përgjithmonë se s’ka më luftë brenda Bashkimit Evropian dhe Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e tij”, tha ministrja Gërvalla.