Federata e Futbollit e Kosovës para dy vitesh ka filluar me ciklin e dytë të programit për mentorë dhe talente të referimit, derisa sot ky program është finalizuar me shpërndarjen e diplomave dhe certifikatave për pjesëmarrësit.
Gjatë këtij programi dyvjeçar, 5 talentë të referimit kanë pasur nga një mentor, të cilët e kanë përcjellur punën e tyre dhe u kanë dhënë udhëzime në fushën e ndarjes së drejtësisë.
Po ashtu, gjatë kësaj periudhe janë mbajtur edhe grumbullime dhe seminare të ndryshme, të cilat ata i kanë përmbushur me sukses.
I pranishëm në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave ishte edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi. Me këtë rast, ai, i përgëzoi talentet e referimit për përmbylljen e suksesshme të këtij programi dhe e ritheksoi rëndësinë që FFK po i jep kuadrove të reja.
“Jeni gjenerata e dytë që keni arritur ta kryeni me sukses këtë program, të cilin e ka mundësuar FFK në bashkëpunim me UEFA-n. Ashtu sikurse gjenerata e parë, edhe nga ju presim shumë në të ardhmen e afërt. Futbolli i Kosovës ka nevojë për kuadro si ju. Ne do t’ua japim besimin dhe shpresojmë që ju do ta kryeni misionin tuaj me nder e profesionalizëm. Kjo diplomë ua jep mundësinë për ta bërë hapin në profesionin e gjyqtarit të futbollit, derisa do të jetë puna juaj ajo që do t’ua hapë rrugët e suksesit”, ka theksuar presidenti Ademi.
FFK-ja gjatë këtij viti do të fillojë edhe me gjeneratën e tretë të talenteve të referimit.