Zbulohet emri i vajzës së Nick Jonas dhe Priyanka Chopra

Disa muaj pasi u bënë prindër për herë të parë, mediat kanë zbuluar emrin e vajzës së Nick Jonas dhe Priyanka Chopra Jonas.

TMZ raportoi, konfirmuar nga People, se vajza e çiftit quhet Malti Marie Chopra Jonas. Malti Marie lindi më 15 janar në një spital të San Diegos, sipas certifikatës së lindjes të marrë nga TMZ.

Në janar, në një njoftim në Instagram, ata njoftuan për herë të parë se një bebe erdhi në jetë përmes një lindjeje surrogate (lindje ku një grua tjetër pranon të lindë një fëmijë për një person/çift).

Janarin e kaluar, Priyanka foli për E! Daily Pop për ëndrrën e çiftit për të pasur fëmijë në të ardhmen, duke shtuar me shaka se ajo donte aq fëmijë sa duhen për “një ekip kriketi”. “Familja është një pjesë e madhe e jetës sime,” tha ajo ekskluzivisht për E! News. “Ka qenë gjithmonë pjesë e ëndrrave të mia”.

Priyanka, 39 vjeç dhe Nick, 29 vjeç, nisën romancën në maj të vitit 2018, ndërsa në korrik 2018 ai i propozoi për martesë. Ata u fejuan në gusht dhe në dhjetor 2018 u martuan.