Mosanëtarësimi i Shqipërisë në BE është i rrezikshëm për vetë Bashkimin Evropian.
Tezën e tij kryeministri shqiptar Edi Rama e vë në dukje edhe për qytetarët evropian në një intervistë për gazetën gjermane, Die Welt.
“Ballkani ka shumë rëndësi gjeostrategjike. Është e rrezikshme për BE-në që vendet e Ballkanit të mos jenë anëtare. BE-ja do të ishte më e sigurt dhe më e fortë me to si pjesë e saj. Për momentin, BE-ja është i vetmi realitet gjeografik me një kufi të brendshëm, është si një njeri që vjen rrotull me plagën hapur. Komisioni Evropian ka katër vjet që ka dhënë dritën jeshile, por dikush në Këshillin e BE-së vazhdon të thotë jo dhe procesi ngrin sërish”.
I pyetur nëse zvarritja e procesit të anëtarësimit, vjen si rezultat i luftës ndaj korrupsionit dhe renditjen e Shqipërisë ndër vendet e fundit nga Transparency International, kreu i qeverisë merr si kundërargument digjitalizimin dhe reformën në drejtësi.
“Nuk i besoj kësaj transparence, sido që të jetë, asnjë sekondë. Ne kemi bërë kaq shumë përparim. Vetëm një shembull: Shqipëria ka dixhitalizuar tashmë 95 për qind të shërbimeve të saj. Kur u futa në politikë, asnjë shërbim nuk menaxhohej në mënyrë dixhitale. Njerëzit duhej të qëndronin në radhë për orë të tëra për të marrë një dokument. Gjithçka ishte e korruptuar. Si ka mundësi që kjo ecuri të mos përmirësojë renditjen tonë? Le të mos harrojmë edhe reformën tonë në drejtësi”.
Ndikimin rus në Ballkan e sheh me rrezik. Por mohon që “Ballkani i Hapur” të rrezikohet nga afrimi i Serbisë me Rusinë.
“Rajoni është i pambrojtur sepse ndikimi rus është shumë i fortë, jo në Shqipëri, por në Bosnje, Mal të Zi dhe veçanërisht në Serbi. Serbia nuk po shkon drejt Rusisë. Përkundrazi, në mënyrë të çuditshme, ajo mori anën e Perëndimit duke dënuar agresionin rus në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Është një shenjë shumë e mirë që Serbia votoi tre herë kundër Rusisë. Nëse Serbia do të kishte bërë të kundërtën, do të ishte një goditje e rëndë për bashkëpunimin tonë”.
Kryeministri Edi Rama thotë se Shqipëria në asnjë rast nuk do të heqë dorë në përpjekjet e saj për anëtarësim në bashkimin Europian, duke ruajtur gjithmonë orientimin perëndimor, raporton TVKLAN.