Një aksident i rëndë trafiku ndodhi sot në autostradën “Ibrahim Rugova”.
Si pasojë e këtij vetaksidenti ka humbur jetën një person.
Kjo është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.
Ndërsa lidhur me këtë rast, nga Prokuroria Themelore në Prizren kanë konfirmuar se personi që humbi jetën në këtë rast është një 20 vjeçar.
“Policia ka njoftuar se sot, rreth orës 11:25 në autostradën “Ibrahim Rugova”, në kilometrin e 10-të ( në afërsi të fshatit Vlashnje) është raportuar se ka ndodhur një aksident trafiku- vet aksident, ku si pasojë dyshohet se një person ka humbur jetën kurse një person tjetër ka pësuar lëndime trupore.”, u tha nga Policia e Kosovës.
Prokurori Petrit Kryeziu, i cili ka qenë në vendngjarje, ka deklaruar se nga ekipet mjekësore është konfirmuar se ka vdekur pasagjeri i veturës së vetaksidentuar, ndërsa vozitësi është dërguar për tretman mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, pasi ka pësuar lëndime serioze.
“Dyshohet se deri tek vetaksidenti ka ardhur për shkak të humbjes së kontrollit mbi automjetin nga vozitësi. Vetura e vetaksidentuar është më targa të Republikës së Shqipërisë, ndërsa identiteti i viktimës dhe të lënduarit nuk dihet për momentin sikurse edhe shtetësia e tyre.”, ka deklaruar ai.