Avokati i Popullit: Institucionet e Kosovës kanë dështuar t’i përmbushin detyrimet për dokumentimin e krimeve të luftës

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione ka mbajtur tryezën me temën “Afër dy dekada e gjysmë pas luftës, cili është fati i personave të pagjetur”?.

E pranishme në këtë tryezë ishte aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq. Por prezenca e saj irritoi kryetarët e shoqatave për persona të zhdukur, të cilët lëshuan sallën. Ata kritikuan përfaqësuesit e institucioneve të shtetit për mosprezencën e tyre në këtë mbledhje.

Kandiq foli për kohën kur ka qenë për herë të parë në Kosovë.

Ajo tha se ka parë se çfarë ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë.

“Sot jemi të gjithë këtu më kuvend. Në vitin 2008 ishte hera e parë kur isha në këtë kuvend dhe kam qenë e pranishme për shkak të vetë viktimave, kam parë se çka ka ndodhur në Kosove. Kam parë kolona të shumë njerëzve që kanë ikur, varreza masive. Kam menduar që atë se çka kam parë është e mjaftueshme që të kemi një qëndrim që viktimat e qytetarët duhet t’i kenë institucionet që merren me të drejtat e viktimave e familjarët që të sjellin drejtësinë”.

“Unë jam hulumtuese. Nuk jam politikane. Mendoj që nuk ka asnjë krim të luftës që nuk është i lidhur me politikën”, tha ajo.

E Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha se si institucion kanë konstatuar se institucionet e Kosovës kanë dështuar t’i përmbushin detyrimet për dokumentimin e krimeve të luftës.

“Është një konstatim që në këtë vit, Institucioni i Avokatit të Popullit në raportin e tij vjetor, me të cilin ka konstatuar që institucionet e Kosovës kanë dështuar t’i përmbushin detyrimet për dokumentimin e krimeve të luftës”.“Pjesa më e rëndë është fati i të pagjetur për shkak të specifikave që i ka kjo dukuri dhe pasojave që ka shkaktuar. Me qëllim të dokumentimit të krimeve të luftës, Qeveria e Kosovës në vitin 2011 pat themeluar Institutin për Krime të Luftës. Me qenë të sinqertë, përkundër punës nuk ka arritur ta përmbush qëllimin për çka është krijuar”, tha Qelaj.