Këshilli i Nxënësve të Kosovës (KNK) të martën organizoi marsh në Prishtinë, me qëllim të vetëdijesimit të sistemit të arsimit në Kosovë me moton “S`po shkohet në shkollë”.
Përfaqësuesi i KNK-së,Denis Krasniqi, tha se marshi i sotëm është si rezultat i pakënaqësisë së tyre shumëvjeçare.
“Ka pasur gjithë ankesa, por që sipas tij ato kanë hasur në vesh të shurdhër. Marshi i sotëm është rezultat i pakënaqësisë sonë shumëvjeçare që e kemi si nxënës. Rezultati i krejt cilësisë në arsim dhe infrastrukturës së objekteve shkollore tona është shfaq prej hulumtimit që e kemi bërë me këshillin rinor kosovar. Kanë dalë statistika të tmerrshme sa i përket mësimdhënëseve, nxënësve dhe infrastrukturës, e krejt institucioneve përgjegjëse. Ne pas marshit do të shkojmë me kërkesa dhe ankesa. Ne gjithmonë kemi pas kërkesa e ankesa po shumicën e rasteve kanë has në vesh të shurdhër”, tha ai.
Ndryshe më marsh kanë marrë pjesë shumë nxënës të shkollave në Prishtinë. Protestuesit kërkuan siguri, cilësi, mbrojtje, barazi dhe mirëqenie për nxënës nëpër shkolla. Marshi përfundoi i qetë.
Kjo protestë e nxënësve po mbahet disa ditë pas paralajmërimit të Sindikatës së Arsimit (SBASHK) se mësimdhënësit mund të hyjnë në grevë, nëse Qeveria nuk u ndanë nga 100 euro më shumë çdo muaj, deri në miratimin e Ligjit për Paga.