Këto janë ditë kujtese në Kukës. 23 vjet më parë, në pranverën e vitit 1999 mbi 1 milion shqiptarë të Kosovës u nisën drejt kufirit të Shqipërisë pasi u dëbuan nga forcat serbe.
530 mijë u strehuan në Kukës, e pjesa tjetër në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.
Kukësi u kthye në qendër të vëmendjes sepse qindra zyra ndërlidhëse të medieve të huaja u vendosën në qytetin e vogël verilindor të panjohur më parë për të raportuar çdo ngjarje nga lufta në Kosovë.
Gazetarët lokalë kujtojnë si erdhën kolegë jo vetëm nga i gjithë vendi por e gjithë bota.
“Në Kukës u vendosën me mijëra media e gazetarë të huaj ku së bashku raportonin çdo informacion. Pas ngjarjeve të 1997, eksodi 1999 ishte ndryshe pasi për një lajm duhej saktësimi në disa burime. Duhej të raportonin lajme të dhimbshme për mediet e huaja. Ajo periudhë është një kohë e artë, një kohë ku profesioni i gazetarit u forcua edhe më shumë”, ka thënë gazetari Jonuz Hallaçi.
Sot në vendin ku më 16 prill nisën të vendoseshin çadrat që do strehonin mijëra shqiptarë ngrihet një obelisk, i ndërtuar në shenjë falënderimi ndaj popullit shqiptar.
Por kulla e obeliskut është thjesht një simbol sepse për qytetin e vogël të Kukësit eksodi është i gjallë si të kish ndodhur dje.