BE: Është koha që dialogu Kosovë-Serbi të përfundojë me sukses

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Satano, ka deklaruar se në 9-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, është koha për të ecur përpara dhe që të përfundohet me sukses procesi i dialogut në mes dy shteteve.

“Tani është koha për të ecur përpara dhe për të përfunduar me sukses, procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, tha ai.

Në një prononcim për Tanjug, Stano deklaroi se me nënshkrimin e Marrëveshjes, Beogradi dhe Prishtina kanë marrë obligime të rëndësishme ndërkombëtare dhe ka theksuar se të dyja palët duhet të zbatojnë plotësisht gjithçka që është rënë dakord.

“BE dhe vendet anëtare presin përparim të shpejtë nga të dyja palët, si dhe Beogradi dhe Prishtina të përfshihen seriozisht në të. Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare presin po ashtu që të dyja palët të zbatojnë plotësisht të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani”, tha Stano.

Ndryshe sot janë bërë nëntë vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes së parë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kjo marrëveshje u nënshkrua nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Catherine Ashton.

Marrëveshja 15 pikëshe, kishte për qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.