Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci pëmes një konference për media ka kritikuar Qeverinë Kurti për diskriminim të qytetarve lidhur me vendimet e fundit për përcaktimin e pagës minimale dhe ndarjes së 100 eurove për disa kategori.
Stavileci kërkoi që Qeveria të ndajë nga 100 euro në muaj për të gjithë punëtorët dhe të papunët deri në hyrjen në fuqi të Ligjit të ri të Pagave dhe Ligjit për Pagën Minimale.
“Edhe përkundër vështirësive të shumta me të cilat po përballen sot qytetarët e Kosovës, tri krizave më të mëdha në historinë e tyre më të re, pandemisë, shtrenjtimit astronomik të çmimit të rrymës dhe ngritjes marramendëse të çmimeve të prodhimeve elementare për jetesë, qeveritarët tanë, ironikisht krejt kundër me atë për çfarë kanë marrë besimin e tyre, po e thellojnë hendekun e pabarazisë shoqërore pikërisht me taksat e vetë qytetarëve.Tani kur edhe inflacioni i çmimeve shënoi rekordin më negativ dyshifror për ta goditur akoma më shumë mirëqenien e qytetarëve të vendit tonë, qeveritarët në vend të lehtësimit të kësaj goditjeje dhe rëndimi, zgjodhën goditjen e sërishme nëpërmjet mosdëgjimit të kërkesave të tyre, anatemimit dhe diskriminimit.”, theksoi Stavileci.
PDK konsideron se qytetarët, me shumë të drejtë, po kërkojnë që paga minimale të jetë më e lartë nga ajo që ka propozuar qeveria dhe se paga minimale duhet të jetë më e lartë se 300 euro.
“Qeveria ka mundësi ta bëjë një gjë të tillë. Por, a duan? Kjo mbetet në ndërgjegjen e tyre institucionale dhe elektorale.U diskriminuan shumë kategori. Nga ata që me 11 euro e 10 cent në muaj apo 37 cent në ditë nuk mund ta blejnë as një kilogram bukë në ditë e deri tek të papunët që edhe pse në numër të shumtë s’do t’i marrin as edhe këto 37 cent. Fatkeqësisht për këta qytetarë e të papunë, qeveria është në deflacion flagrant të vizionit, ideve, planeve dhe projekteve me të cilat këto kategori të rëndësishme do të përfitonin gjatë gjithë vitit, dhe jo vetëm për një muaj të vetëm, e edhe ashtu me vlerë diskrimuese dhe të pamjaftueshme.”, tha Stavileci.
Stavileci tha se me këto vendime qeveritarët edhe një herë dëshmuan se vendosën për formula ad-hoc, me shumë variabla të pazgjidhshme, por me vetëm një konstantë: DISKRIMINIMI I SHUMË KATEGORIVE DHE I TË PAPUNËVE.
“Pra, në vend të mbështetjes meritore zgjodhën lëmoshën. Në vend të ndihmës për të papunët zgjodhën diskriminimin dhe harrimin e tyre. Në vend të barazisë sociale zgjodhën thellimin e hendekut të pabarazisë sociale. E kur vetveten e kanë futur në kurthin e premtimeve të veta të rrejshme, e pakta që mund ta bëjnë është që të vazhdojnë për të gjithë punëtorët të ndajnë nga 100 euro deri në hyrjen në fuqi të ligjit të ri të pagave dhe të ligjit për pagën minimale në vend.”, shtoi ai.