Ish-kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani i ka krahasuar votat e ish-deputetit shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberit dhe kryetarit të Preshevës, Shqiprim Arifit në zgjedhjet e fundit parlamentare në Serbi.
Sinani e sheh të ngritur një pikëpyetje pas zhvillimeve të djeshme në Komunë, ku për pak minuta, në karrigen e saj të kryetares u ul sërish Shqiprim Arifi.
“Një pikëpyetje për reflektim dhe diskutim? Kush po do me eliminuar një politikë shqiptare në Luginë sipas asaj që përfaqësoj Shaip Kamberi dy vitet e fundit në parlament, e që në zgjedhjet e fundit u dëshmua shumicë absolute me rreth 10.000 vota?”, ka shkruar Sinani.
“Kush po do me ngritur artificialisht një politikë shqiptare në Luginë sipas asaj që përfaqëson Shqiprim Arifi, e që në zgjedhjet e fundit u dëshmua pakicë absolute me rreth 3000 vota?”, ka shtuar ajo.
Sinani dje në Kuvendin Komunal e quajti “pushtet nga lart” qeverisjen e re të Preshevës me kryetar Shqiprim Arifi. Partneri i saj i deritashëm, Sami Salihu, e theu marrëveshjen për qeverisje 4 vjeçare, duke e rrëzuar atë ende pa u bërë një vit.
“Skenari ishte i qartë”, tha dje në fjalën e saj Ardita Sinani. Sipas saj, Arifi dhe Salihu donin ta pamundësonin rizgjedhjen e Shaip Kamberit si deputet dhe më pas ta merrnin pushtetin në komunë.