Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka marrë pjesë në ceremoninë e transferimit të detyrës së drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), nga gjeneral Jorg Ruter te gjeneral Joachim Hoppe.
Mehaj tha se synimi i Kosovës është anëtarësimi në NATO, sepse sipas tij Kosova i ndan vlerat e mendimet e njëjta demokratike me NATO-n, prandaj, sipas tij, prioriteti i Kosovës është ngritja e kapaciteteve operacionale të FSK-së sipas standardeve të NATO-s.
Tutje, Mehaj tha se Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja janë krijuar e zhvilluar përmes mbështetjes jetike të miqve, anëtarëve dhe partnerëve të Kosovës në NATO, e sipas tij do të vazhdojnë të punojnë së bashku për t’i përmbushur synimet për t’u bërë pjesë e NATO-s.
“Krahas mbështetjes individuale të vendeve partnere të NATO-s që nga fillimi i punës në Ministrinë e Mbrojtjes, përkrahja përmes NATO-s dhe përmes ekipit ndërlidhës ka qenë e një rëndësie të veçantë”, ka thënë Mehaj.
Më tej, i pari i Mbrojtjes tha se objektiv i tyre është që forcat e tyre të jenë të ndërveprueshme me forcat e vendeve anëtare të NATO-s, por edhe me NATO-n kudo që kërkohet krahas partnerëve të Kosovës.